30 korrik 2015 –Sulmuesi peqinas i Teutës, Artur Magani, është i bindur se “djemtë e detit” do të jenë faktorë në kampionatin e ardhshëm. Durrsakët vazhdojnë përgatitjet për sezonin e ri, ndërkohë që grupi po merr ngarkesën e duhur në temperatura relativisht të larta. Sulmuesi është shprehur optimist për të ardhmen dhe është i sigurt se Teuta do të jetë një “kockë e fortë” për të gjithë.

"Jam shumë i lumtur që i jam bashkuar këtij grupi. Duhet të mendojmë për përgatitjet dhe të bëjmë më të mirën në këtë fazë. Sigurisht që skuadra nuk është e plotë, por duhet të bëjmë më të mirën. Ne kemi grupin dhe do ta tregojmë forcën tonë. Jam i sigurt se drejtuesit e klubit kanë bërë përforcimet e duhura dhe Teuta do ta startojë e plotë kampionatin. Do të jemi faktorë në kampionat. Jemi duke krijuar një fizionomi shumë të qartë loje dhe e njohim shumë mirë tani njëri-tjetrin", shprehet fillimisht Magani.

Pavarësisht se pa shumë zhurmë, Teuta për momentin mund të konsiderohet si një ndër skuadrat më aktive të Superiores në këtë merkato vere.

"Afrimet që kemi bërë deri në këto momente në skuadër janë me të vërtetë cilësore, pasi janë lojtarë me eksperiencë dhe që kanë marrë miratimin e mbështetjen e trajnerit. Merkatoja e Teutës nuk është mbyllur ende, pasi edhe koha deri në përfundimin zyrtar të afatit të saj premton ende për të tjera prurje. Një punë e shkëlqyer e presidentit Hasanbelliu me këto afrime që shpresoj t’ia shpërblejmë besimin që na jep, së bashku me trajnerin dhe stafin teknik", përfundon prononcimin e tij Artur Magani.

Sulmuesi është djali i trajnerit aktual të Teutës, Gugash Magani.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/