27 korrik 2015 – Dështon tenderi për riparimin e aparatit që ekzaminon kancerin në gji te gratë.
Më 27 korrik 2015, pas 21 ditësh, drejtoria e përgjithshme e Spitalit publik Rajonal Durrës (SRD) njofton zyrtarisht se tenderi “për riparim mamografie”, i parashikuar të zhvillohej më 6 korrik 2017, është anuluar. SRD-ja thotë se kjo gjë është bërë “për shkak se operatori ekonomik pjesëmarrës ka mangësi në dokumentacion”. Aparati ka muaj që nuk funksionon. Aparati i mamografisë në spitalin e Durrësit ka qenë donacion i projektit Interreg III dhe është prodhuar në SHBA. Deri tani riparimi i defektit në bllokun e ushqimit dhe lexuesin e imazheve ka rezultuar i pamundur. Gjithsesi, në bashkëpunim me ISHP-në është vënë në dispozicion një mamografi e lëvizshme.
Info
Mamografia është një ekzaminim specifik radiografik i gjirit, që përdor rrezet X me doza të ulëta dhe të padëmshme dhe një nga metodat e ndjeshme që përdoret në diagnostikimin e sëmundjeve të gjirit. E kap kancerin e gjirit në faza të hershme, atëherë kur shenjat nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë, kur ai akoma nuk e ka kaluar madhësinë prej disa mm. Mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2-3 vjet para shfaqjes së shenjave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/