24 korrik 2015 – Një konflikt për motive të dobëta ka agravuar deri në përdorimin e shisheve të birrës majë kokës në Lagjen nr. 18 të Durrësit.

Ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 18:15 ka përfshirë në sherr tre persona, dy prej të cilëve u plagosën nga shtetasi Sahit Kapici.

Ky i fundit, 52 vjeç, i cili u arrestua menjëherë nga efektivët e Durrësit, ka goditur në kokë me shishe birre, 28-vjeçarin D.Xh., dhe 54-vjeçarin K.Gj.

Për pasojë, 28-vjeçarit iu shkaktuan plagë serioze në kokë, ndërsa 54-vjeçari mori plagë të lehta. Me mbërritjen e forcave të policisë në vendngjarje, dy të lënduarit u dërguan më pas në Spitalin e Durrësit, për të marrë mjekimin e nevojshëm mjekësor. Për të dy plagosurit raportohet se fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Materialet e kësaj çështjeje i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/