24 korrik 2015 – Katër persona nga Durrësi, tre burra dhe një grua, janë arrestuar në flagrancë pasi kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë.
Shkak është bërë ndërhyrja e uniformave blu, për të zgjidhur një konflikt të çastit, i cili ka ardhur për motivë të dobëta midis këtyre shtetasve:
•Përparim Turra, 57 vjeç, banues në Durrës;
•Xhorxhi Deda, 52 vjeç, banues në Durrës;
•Pavlina Nushi, 55 vjeçe, banuese në Durrës;
•Ilirjan Nushi, 53 vjeç, banues në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e lokalit “Bar Pastiçeri Luka Caffe” në Lagjen nr. 4, në rrugën “Hafiz Podgorica”, lokal i cili është në pronësi të Pavlinës dhe Ilirjan Nushit.
Në momentin që efektivët e policisë kanë kërkuar shoqërimin e tyre në Komisariat, ata jo vetëm që nuk u janë bindur uniformave blu, por madje i kanë kundërshtuar me forcë.
Çështja i kaloi Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik” në bashkëpunim.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





