23 korrik 2015 – Ditët e fundit vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të aplikuesve për pajisjen me pasaporta biometrike duke rikthyer radhët përpara dyerve të zyrave ku dhe kryhet procedura e aplikimit.
Kjo situatë në këtë periudhë të vitit vjen kryesiht si rrjedhojë e ardhjes së shumë emigrantëve për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre duke e shfytëzuar këtë periudhë për t’u pajisur me pasaportë. Fluksit i shtohet edhe aplikimi i shumë qytetarëvë të tjerë, të cilët kërkojnë të kalojnë pushimet jashtë vendit. Edhe pse shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, Greqi apo vende të tjera, i kanë mundësitë për t’u pajisur me pasaportë edhe në konsullatat tona në këto vende, por ndoshta edhe për shkak të një kostoje më të lartë në këto zyra, I detyron ata të aplikojnë kur kthehen në Shqipëri për pushime.
Sipas informacioneve të marra, numri mesatar i aplikimeve në zyrat përkatëse ku kryhet procedura e aplikimit për pasaporta arrin në rreth 100 -150 aplikime në ditë për çdo zyrë.
Siç dihet, tashmë prej disa vitesh në të gjithë vendin procesi i aplikimit dhe lëshimit të pasaportave është unifikuar, me qëllim shmangien e abuzimeve të llojeve të ndryshme. Çdo shtetas shqiptar që kërkon të pajiset me një pasaportë biometrike duhet të paraqitet më parë në komisariatin e policisë ku banon, dhe plotëson atje një formular ku shënohen të gjitha të dhënat e tij, përfshirë adresën e saktë dhe numrin e telefonit.
Pas verifikimit të të gjitha të dhënave nga policia e shtetit, formulari i shoqëruar me një foto portret 5×4 mbërrin te punonjësit e gjendjes civile pranë zyrave të aplikimit. Vetëm pas kësaj procedure qytetarët janë të lirë të aplikojnë për një pasaportë. Pritet që numri i aplikuesve për pasaporta të vijë në rritje, pasi në ditët e ardhshme fluksi i ardhjes së emigrantëve arrin në pikun e tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





