21 korrik 2015 – Panairi i gatimeve tradicionale të zonës, ai i punimit artizanal tradicional dhe panairi i verërave kanë çelur veprimtarine 5-ditore “Ditët e turizmit”, organizuar nga shoqata “Krahët e shpresës”, i mbështetur nga Bashkia e Durrësit, dhe Ministria e Zhvillimit  Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtuesja e këtij aktiviteti Myzejen Konduri, e cila ka ftuar më pas përfaqësuesin e bashkisë Adrian Gurra, ku ky i fundit simbolikisht preu dhe shiritin e çeljes së kësaj veprimtarie që synon në promovimin e artit dhe kulturës zonale, biznesit dhe turizmit.

Në hollin e teatrit “Aleksanër Moisiu” kishin zënë vend gatimet e shumëllojshme tradicionale të zonës, duke promovuar më së miri artin e shkëlqyer të gatimit dhe kulinarisë. Më pas të gjitha gatimet në panair do të shkonin te qendra ditore e të moshuarve duke dhuruar një vakt për ta.

Ndërkohë, panairi i një shumëllojshmërie verërash të nxjerra nga vreshtat e zonës së Durrësit si dhe e disa produkteve te tjera, zinte një hapësirë të konsiderueshme të sheshit “Liria”.  

Njëkohësisht ekspozita e Artit Pamor “Nikolet Vasia” kishte hapur dyert për ekspozimin e punimeve tradicionale dhe të punimeve në qëndisjen me rruaza, ku ishin ekspozuar me dhjetëra punime tradicionale të zonës si qylyma, çentro etj, pjesë e punimit artizanal që mbahet për fat të mirë ende gjallë.

Aktiviteti vijon në ditën e dytë me ekspozitën e veshjeve tradicionale dhe atë të suvenireve. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/