17 korrik 2015 – Procesi i legalizimeve do të jetë falas për këdo që ka ndërtuar nga janari i vitit 2009 deri në korrik të vitit 2014. Kështu ka deklaruar këtë të premte Artan Lame.
Kreu i ALUIZNI-t ftoi të gjithë qytetarët që të bëjnë deklarimet përkatëse, duke theksuar më tej se legalizim falas do të ketë edhe për 22 mijë familje ish-pronarësh që nuk i zotëronin pronat e tyre. Gjithashtu po merren masa për të siguruar sportele të veçanta, edhe për emigrantët e shumtë që vijnë në Shqipëri gjatë pushimeve verore.
“Ekipet tona kanë hyrë në 112.000 shtëpi shqiptare, për të kryer procedurat e legalizimit, duke biseduar me durim me qytetarët.
Janë trajtuar 51.500 ankesa nga ana e drejtorive përkatëse, me problematika e ankesa nga më të gjithëllojshmet.
Sot ALUIZNI është shndërruar për shumë qytetarë një sportel ku mund të diskutojnë dhe konsultohen, jo vetëm për problematika të legalizimeve, por edhe për probleme të tjera që lidhen me çështje pronësie, kthimi pronash, hipotekimi, privatizimi, dokumentacioni ligjor, çështje gjyqësore, ndërtimesh pa leje, e të tjera.
Ka qenë dhe mbetet detyrim i yni të sqarojmë qytetarët, duke u ofruar zgjidhje problematikave të tyre, apo duke i orientuar në xhunglën e legjislacionit shqiptar”, përfundoi Lame.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/