16 korrik 2015 – Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani kanë nxjerrë një udhëzim të përbashkët për zbatimin e vendimit të qeverisë mbi kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes. Sipas udhëzimit, të gjitha aktet nënligjore dhe administrative, për miratimin e privatizimeve dhe komisioneve përkatëse të vlerësimit, të nxjerra përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të konsiderohen të vlefshme. Sakaq, udhëzimi parashikon që fillimisht institucionet qendrore dhe organet e qeverisjes vendore dërgojnë prononcimin e tyre për privatizimin e pasurive të ndërmarrjeve apo institucioneve, në administrim apo pronësi të tyre, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Për të përfshirë në procesin e privatizimit pronat, të cilat i kanë kaluar në pronësi pushtetit vendor, duhet miratimi përkatës i këshillit bashkiak dhe konfirmimi nga institucioni i prefektit për ligjshmërinë e tij, ndërsa për pronat të cilat janë në administrim të organeve te qeverisjes vendore duhet vetëm miratimi i kryetarit të bashkisë. Miratimi për përfshirjen në procesin e privatizimit të objekteve ndërtimore, të cilët kanë qenë në administrim të një subjekti që nuk ekziston më, bëhet nga ministri përgjegjës për Ekonominë.

Vlerësimi

Sipas udhëzimit të Canit dhe Ahmetajt, vlerësimi i pasurisë shtetërore nga komisioni i vlerësimit, bëhet për çdo element të pasurisë, duke përcaktuar vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Anëtarët e Komisionit të Vlerë- simit mbajnë përgjegjësi ligjore për saktësinë e vlerësimit të kryer prej tyre, si dhe për hartimin e dokumentacionit të nënshkruar prej tyre. Për objektet ndërtimore, kontratat e shitjes së të cilëve janë shpallur të pavlefshme nga gjykata, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, Ministria e Financave kthen për rivlerësim, dokumentacionin e vlerësimit në ministrinë përgjegjëse për Ekonominë, për të bërë vlerësimin sipas gjendjes faktike të tyre dhe legjislacionit në fuqi. Për vlerësimin e tyre ministri përgjegjës për Ekonominë ngre komisionin e vlerësimit, i cili vlerëson objektet sipas përcaktimeve në kreun II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 926, datë 29.12.2014 dhe në këtë udhëzim. Një procedurë e njëjtë ndiqet edhe për objektet dokumentacioni i vlerësimit të të cilëve kthehet nga AKKP-ja.

Privatizimi

Trualli që privatizohet konsiderohet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale (nëse ka) rreth tij, e përcaktuar sipas genplanit të objektit, që është pjesë e dokumentacionit të privatizimit që përgatit komisioni i vlerësimit. Komisioni i vlerësimit merr nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, dokumentacionin e kërkuar sipas këtij vendimi, i cili duhet të jetë i plotësuar me të gjithë të dhënat e nevojshme gjeografike dhe treguesit e tij (datë, vulë ose vulë lidhëse me shkresën përcjellëse, nëse dokumenti nuk është aktual). Dega e shoqërive publike pas marrjes së dokumentacionit nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, i kërkon AKKP-së konfirmimin nëse për truallin përkatës ka pronarë të njohur apo të kthyer me vendim të AKKP, si dhe çmimin përkatës të truallit ku shtrihet objekti.

Ish-pronari

Udhëzimi përcakton se ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin apo çdo subjekt tjetër që në bazë të dokumenteve që disponon, pretendon të ketë pronësi mbi truallin e objektit që privatizohet, duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Financave, brenda një afati 20-ditor nga dita e publikimit (afishimit) duke depozituar: kërkesën me shkrim, në të cilën shprehet se dëshiron të blejë objektin e publikuar për shitje; dokumentacionin që vërteton pagesën prej 20% të vlerës totale të objektit (mjete kryesore + mjete xhiro), pa vlerën e truallit të objektit që kërkon të blejë; vendimin përkatës të AKKP ish-pronarëve, të noterizuar, të shoqëruar me planvendosjen e pronës; çdo dokument tjetër ligjor të regjistruar në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, i cili përcakton se ai është pronar i tokës; dëshmi trashëgimie; prokurë përfaqësimi dhe marrëveshje të dokumentuar midis bashkëpronar- ëve, kur ka të tillë. Në rast se ish-pronari i truallit (trashëgimtarët e tij), nuk paraqitet për blerjen e objektit që ndodhet në truallin e tij, shitja e objektit dhe truallit, realizohet me ankand sipas procedurave të VKM e përcaktuar sipas hartës së vlerës dhe që ndodhet në dosjen e vlerësimit të objektit, do të përdoret për t’i kaluar drejtpërsëdrejti ish-pronarit.

AKKP përcakton çmimin e truallit

AKKP, brenda 10 ditëve nga administrimi i kërkesës nga dega e shoqërisë publike, i dërgon kësaj të fundit çmimin përkatës të shitjes së truallit të objektit që privatizohet të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe vendimet përkatëse të kthimit dhe kompensimit të pronave, nëse ka, shoqëruar me vulë lidhëse me planvendosjen e saktë të pronës, ku të jetë përcaktuar qartë kufiri i pronës, si dhe çdo informacion shtesë që lidhet me vendimin përkatës të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për rastet e privatizimit të objekteve (së bashku me linjat e shërbimit dhe të prodhimit, makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros etj., që janë pjesë përbërëse të objektit), dokumentacioni i vlerësimit, pasi kontrollohet nga dega e shoqërive publike, përcillet në ministrinë përgjegjëse për ekonominë e cila më pas e dërgon në Ministrinë e Financave për të vijuar procedurën e shitjes. Ndërsa, për pasuritë e luajtshme si linjat e shërbimit dhe të prodhimit, makineritë dhe pajisjet, mjetet e transportit, mjetet e xhiros etj., që privatizohen të veçuara, dokumentacioni i vlerësimit, pasi përgatitet nga komisioni i vlerësimit, përcillet prej tij në degën e shoqërive publike përkatëse, e cila pas kontrollit e dërgon në Ministrinë e Financave.

/Gazeta 'Sot'/