· Ja çfarë mund të marrësh në Ishëm: kërkesë për informacion; ankesa; regjistrimi i një biznesi për taksa vendore; vlerësim i detyrimeve për taksat vendore; vërtetim për shlyerjen e taksave vendore; leje për zënie të hapësirës publike; saktësim adrese banimi; banesë sociale me qira; banesë sociale me kosto të ulët.

15 korrik 2015 –  Neziri, banor i Durrësit, por me biznes në Ishëm, arriti të marrë, brenda 5 minutave, 3 shërbime në zyrën me një ndalesë, pjesë e njësisë së re administrative të Ishmit. I shpejtë, elektronik dhe modern do të jetë shërbimi që do t'u ofrohet qytetarëve kudo që ata banojnë me konsolidimin e 61 bashkive të reja. Në përurimin e parakohshëm të zyrës me një ndalesë u testua dhënia e shërbimit për qytetarët përmes një sistemi të ri, që do te digjitalizojë dhe standardizojë shërbimet, me synim shtrirjen e tyre në mbarë vendin, sa më pranë banorëve.

Elbasani, Durrësi, Ishmi dhe Bradasheshi janë bashkitë dhe njësitë e reja administrative të përzgjedhura për të pilotuar ngritjen dhe funksionimin e zyrës me një ndalesë, me konsolidimin dhe funksionimin e 61 bashkive të reja. Çdo banori do t’i ofrohen në mënyrë elektronike, vetëm duke paraqitur kartën e identitetit apo kur është e nevojshme NIPT-in e biznesit, nëntë shërbime të ndryshme si: kërkesë për informacion; ankesa; regjistrimi i një biznesi për taksa vendore; vlerësim i detyrimeve për taksat vendore; vërtetim për shlyerjen e taksave vendore; leje për zënie të hapësirës publike; saktësim adrese banimi; banesë sociale me qira; banesë sociale me kosto të ulët.

Disa nga këto shërbime do të ofrohen në mënyrë të menjëhershme në zyrën me një ndalesë të njësisë administrative. Ndërsa shërbime të tjera më komplekse dhe që kërkojnë miratimin e disa zyrave, do të administrohen nga disa zyra apo drejtori në mënyrë eficente gjatë të gjitha fazave nëpërmjet sistemit elektronik, duke i lejuar qytetarit që nëpërmjet internetit të informohet mbi statusin e kërkesës së tij.    

Këto zyra do të funksionojnë me anë të një sistemi të bazuar në platformën “open source” (me kod burimor të hapur) e cila nuk ka kosto licence apo mirëmbajtjeje si dhe mund të kontrollohet, përdoret apo përmirësohet nga vetë punonjësit e bashkisë apo njësisë administrative në të ardhmen.

Nisma do të shtrihet në të ardhmen në të gjitha njësitë administrative dhe 61 bashkitë e reja me synim rritjen e numrit të shërbimeve, modernizimin dhe standardizimin e tyre. Ngritja e zyrave me një ndalesë u realizua nga projekti “Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale (STAR)”, mbështetur nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi.

Zyra e shërbimit me një ndalesë në Ishëm do të ofrojë për të gjithë banorët e kësaj komune por edhe ata të bashkisë së re të Durrësit, shërbime elektronike, të shpejta dhe cilësore. Kjo nismë, e realizuar në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale, ka për qëllim modernizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve bazë për të gjithë banorët, duke shmangur burokracitë, vonesat dhe korrupsionin. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bled Çuçi, i pranishëm në përurim, u shpreh:

“Me zbatimin e reformës territoriale, ne i kemi marrë të gjitha masat që asnjë shërbim të mos i largohet qytetarit. Sot u demonstrua modernizimi i shërbimeve përmes digjitalizimit.  Ky është modeli që ofrojmë për të ardhmen dhe ky modernizim do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë pas pilotimeve në bashkinë e Durrësit dhe Elbasanit”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/