15 korrik 2015 – Në prag të sezonit turistik, sektori hoteleri – turizëm në qytetin e Durrësit ka kërkuar zyrtarisht 273 punonjës të rinj, ndërkohë që numri i të punësuarve të përhershëm në këtë sektor është rreth 1150.

Shifrat janë ofruar nga Drejtoria Rajonale e Punësimit, e cila thekson se profesionet e kuzhinierit, kamerierit, banakierit dhe recepsionistit janë më të kërkuarit në tregun e punës së sektorit hoteleri – turizëm.

Në sportelet e kësaj drejtorie paraqiten mjaft punëkërkues, të cilët më pas vihen në kontakt me punëdhënësit përmes një procedure të shkurtër dhe efikase.

Gjatë vitit të kaluar nëpërmjet zyrave të Drejtorisë Rajonale të Durrësit janë punësuar në sektorin hoteleri – turizëm 1065 punëkërkues, ndërsa numri i përgjithshëm i ofertave për punë në këtë fillim sezoni arrin në afro1000 vetë.

Numri i punonjësve që punësohen në hoteleri – turizëm duhet të jetë shumë më i madh, pasi siç nënvizon edhe DRP-ja, subjektet nuk janë të detyruara të deklarojnë rrugët e punësimit të tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/