· Në 3-mujorin e parë të këtij viti në Durrës e Krujë ka pasur gjithsej 679 lindje, kanë ndodhur 497 vdekje
· “Ngushëllimi” / Gjirokastra rezulton me 91 banorë më pak; Vlora me minus 29 dhe i Shkodrës me minus 20 veta
Nga Thanas Mustaqi
14 korrik 2015 – Në periudhën janar-mars 2015 qarku i Durrësit ka pasur një shtesë natyrore (raporti lindje/vdekje) vetëm prej 182 banorësh, referuar tabelave statistikore të INSTAT-it. “Dyrrah”-u ka përpunuar tabelat përkatëse të të njëjtit burim zyrtar. Edhe në shkallë republike shtesa natyrore e 3-mujorit të parë të vitit 2015 ka qenë e vogël: 1 508 banorë, ku Durrësi përfaqëson 12 për qind të krejt shtesës si vend. Bie në sy se qarku bregdetar zë vendin e dytë pas qarkut të Tiranës (me 788 veta, ose 52,25 të shtesës kombëtare), teksa Elbasani me Fierin, me popullsi më madhe se Durrësi, kanë një shtesë natyrore, përkatësisht prej 146 dhe 125 veta. Në janar-mars 2015 në Durrës ka pasur 679 lindje, kanë ndodhur 497 vdekje.
Gjithsesi, shtesa natyrore e Durrësit në 3-mujorin e parë 2015 është më e vogël se ajo në 3-mujorin e parë 2014, kur ky tregues ishte 272 banorë (90 veta më shumë). Shtesën më të madhe natyrore Durrësi në vitin 2014 e ka pasur në tremujorin e tretë (korrik-gusht-shtator) me 642 veta. Gjithsej si vit i kaluar shtesa natyrore e qarkut të Durrësit ishte me 1 684 banorë.
Por ka qarqe me “tatëpjeta” në shtesën natyrore, pasi vdekjet kanë qenë më të larta se lindjet. Kështu, në 3-mujorin e parë të vitit 2015, qarku i Gjirokastrës rezulton me 91 banorë më pak; ai i Vlorës me 29 dhe i Shkodrës me 20 veta më pak (shih tabelën poshtë, burimi: INSTAT).
/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”©/