13 korrik 2015 – Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka prezantuar drejtoreshën e re të Doganave, Pranvera Fagu Behushin.

Duke bërë një paraqitje të situatës aktuale në dogana, ministri Cani kërkoi të merren masa urgjente, duke filluar me ndryshimin tërësor të mënyrës së të menduarit dhe të punuarit në doganë.

“Ka një mosrealizim në të ardhurat nga doganat, për të cilin duhet nxjerrë përgjegjësia, secili duhet t’i dalë zot detyrave të veta. Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat, por ne do të synojmë grumbullimin e plotë të të ardhurave, me çdo mënyrë, duke iu dalë për zot detyrave dhe duke këmbëngulur që, për të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij angazhimi, të mos ketë vend në administratën e shërbimit doganor shqiptar”, nënvizoi Cani.

Duke falënderuar ministrin për detyrën e re dhe mbështetjen e dhënë, drejtoresha e re Behushi theksoi se objektivi i saj është realizimi i çdo treguesi të planifikuar dhe kërkoi që të punohej si ekip, si një skuadër për të përballuar problemet e vërejtura në shërbimin doganor shqiptar.

“Për mua objektivat janë të qarta, realizimi ritmik i planit dhe ndryshimi i imazhit të doganierëve mbeten prioritet”, u shpreh znj. Fagu.

Durrsakja Behushi mërr këtë post të rëndësishëm, pas dorëheqjes së drejtoreshës së mëparshme Elisa Spiropali, e cila u largua nga drejtimi i këtij institucioni për arsye personale pasi solli në jetë vajzën e saj të parë.

Në vend të Spiropalit, përkohësisht deri më tani ishte komanduar zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, e cila i drejtoi Doganat deri në emërimin e Behushit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/