Me një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të saj, bashkia Durrës njofton se ditën e nesërme (e mërkurë) do të zhvillohet një dëgjesë publike për Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë.

“Me qëllim prezantimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Durrës, Bashkia Durrës ka marrë masat për organizimin e Dëgjesës Publike me grupet e interesit, dhe me organizma pjesë të shoqërisë civile për të bërë të mundur njohjen dhe informimin e këtij plani të përgjithshëm vendor.”njofton bashkia.

Duke marrë parasysh faktin që jemi në kohë pandemie dhe nuk lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura, bashkia zgjedh të diskutojë për Planin e Përgjithshëm Vendor në sallën e Këshillit Bashkiak, me shumë pak persona në sallë dhe ndoshta dhe pa praninë e mediave.

“DurrësLajm” mëson se pritet të diskutohet drafti i Planit të Përgjithshëm Vendor i hartuar nga një studio italiane, që në vitin 2015, por që nuk është miratuar deri më tani.

Diskutimi i Planit të Përgjithshëm Vendor në vitin 2016

Plani i Përgjithshëm Vendor prezanton zhvillimin e qytetit në të ardhmen, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale, zonat ku lejohen dhe nuk lejohen ndërtimet.

Në ndryshim nga vite më parë, kur diskutimi i Planit të Përgjithshëm Vendor bëhej në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, me prani të madhe të studiove projektuese, firmave të ndërtimit, shoqatave, institucioneve, O.J.F., grupeve të interest, por edhe të gjithë qytetarëve të interesuar këtë herë duket se diskutimi do të bëhet mes një grupi të vogël njerëzish.

M.B.