DURRËS, 12 korrik 2015 – Rritja e temperaturave ka shtuar fluksin e turistëve në plazhin e Durrësit. Drejtorja e përgjithshme e spitalit publik rajonal Durrës Ardiola Frashëri i tha “Dyrrah”-ut se janë marrë të gjitha masat për të përballuar sezonin veror. Shërbimet janë përforcuar për të pritur numrin në rritje të pacientëve. Sidomos shërbimi i urgjencës që përballon edhe rastet e problematikave të shkaktuara nga i nxehti.
Frashëri u referohet sinoptikanëve se java në vazhdim do të sjellë një valë të nxehti në vend. Ndaj nuk duhet neglizhuar asnjë rast, sidomos në moshat e vogla, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë që janë të parët që përballen me komplikacione.
E ndërsa sezoni turistik nuk është ende në pikun e tij, në Durrës sipas mjekëve janë paraqitur pak raste komplikacionesh. Kështu në qendrën shëndetësore të plazhit të vjetër pohojnë se deri tani ka pasur pak raste duke qenë se edhe moti ka qenë i paqëndrueshëm. 4 qendrat shëndetësore në zonat turistike në territorin e bashkisë së madhe bregdetare (Currila, Plazhi i Vjetër, Gjiri i Lalëzit, Shkëmbi i Kavajës) ofrojnë shërbim 24 orësh. Në secilën prej tyre janë 2 mjekë dhe 2 infermierë që plotësojnë njëri-tjetrin dhe janë disponibël më shumë në orët e ditës, por dhe të natës. Qendrat janë të pajisura me medikamentet kryesore, EKG, gjithçka është e nevojshme, ndërsa për rastet madhore transferimi bëhet në urgjencën e madhe të spitalit.
Drejtori i drejtorisë rajonale të shëndetit publik dr. Kristo Huta thotë se janë marrë të gjitha masat për të ofruar shërbim cilësor në të gjithë vijën bregdetare, në të cilën parashikohet të vijnë me dhjetëra mijë pushues. Sipas D. Hutës janë 4 ambulanca që do të shërbejnë për periudhën 15 qershor-15 shtator 2015. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar çdo gjë, që nga personeli mjekësor i lartë dhe infermieristik, furnizimi me medikamente, inventarizimi i ambulancave dhe fondet përkatëse. Shërbim i ofruar është falas. Personeli mjek i punësuar me kontratë të përkohshme do të paguhet 70 mijë lekë pagë bruto, 80 mijë lekë pagesë mujore për mbulimin e shpenzimeve të transportit, ushqimit e akomodimit për mjekët që jetojnë jashtë rrethit ku ndodhet qendra shëndetësore. Personeli infermier i punësuar me kontratë të përkohshme do të paguhet 40 mijë lekë pagë bruto mujore, 80 mijë lekë pagesë mujore për mbulimin e shpenzimeve të transportit, ushqimit dhe akomodimit në rastet kur infermieri është nga jashtë rrethi. Dr. Huta pohon se gjatë muajve të parë të këtij viti është bërë përllogaritja me përafërsi për medikamente, të cilat janë të domosdoshme në inventarin e ambulancës si dhe krijimin e mundësive që pushuesi të kryejë aty një sërë ekzaminimesh.
Info / Këshilla për një verë të sigurt dhe të shëndetshme
Vishni rroba të gjera, të lehta, me ngjyra të çelura dhe mundësisht prej pambuku.
Mbani në kokë kapele me anë të gjera dhe përdorni syze dielli.
Ekspozohuni gradualisht në diell duke përdorur produkte mbrojtëse 15-20 minuta para daljes në diell dhe përsëriteni këtë pas çdo larjeje.
Evitoni qëndrimet në diell në orët e nxehta të ditës: 11.00-17.00, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Mos ekspozoni ushqimet në diell dhe pini sa më shumë ujë dhe lëngje të freskëta.
Konsumoni vakte të lehta, të gatuara në moment dhe me përmbajtje të lartë uji, si zarzavatet dhe frutat.
Fëmijët deri në 6 muaj që ushqehen vetëm me gji, gjatë ditëve të nxehta të vihen më shpesh në gji.
KUJDES! GODITJA NGA TË NXEHTËT KËRKON NDIHMË TË SPECIALIZUAR.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/