DURRËS, 8 korrik 2015 –  Në hekurudhë ka shkelje të ligjshmërisë në prokurimet e fondeve publike, lidhjen dhe zbatimin e kontratave, duke krijuar një dëm ekonomik për llogari të buxhetit të shtetit në vlerën 16 397 268 lekë ka deklaruar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kështu shoqëria publike “Hekurudha Shqiptare” Sha ka realizuar 4 investime pa leje zhvillimi.

Është zbuluar se studimi i vlerës së kontratës nuk është plotësisht i saktë, pasi në përcaktimin e fondit limit, nuk janë harmonizuar metodat e vendosura në aktet ligjore e nënligjore të prokurimeve, si çmimet e botuara nga INSTAT-i, çmime të tjera zyrtare, të njohura nga institucionet përkatëse. Në përllogaritjen e vlerës limit të kontratës nuk është dokumentuar nëse nga autoriteti kontraktues janë kryer analizat e kostos së mallrave që do të prokurohen, duke krahasuar elementet e mësipërm me specifikimet teknike. Në hartimin e dokumenteve të tenderit, nuk janë dhënë argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri të veçantë për kualifikim. Specifikimet teknike nuk janë hartuar plotësisht në përputhje me ligjin, pasi ato nuk duhet të kenë asnjë kërkesë apo referencë të ndonjë marke apo emri të veçantë, patentë, vizatimi ose tipi, origjinë specifike, prodhuesi ose sipërmarrje shërbimi, përveç rasteve kur nuk ekziston një mënyrë e mjaftueshme, e saktë apo e kuptueshme, e përshkrimit të kërkesave, me kusht që fjalët “ose ekuivalent” të përfshihen detyrimisht në këto specifikime.

Anulimi i procedurave të prokurimit nga autoriteti kontraktues është kryer pa analizuar dhe nxjerrë përgjegjësitë për shkaqet subjektive që vërehen në procedurat e anuluara. Arsyet për anulimin e procedurës duhet të jenë mjaftueshmërisht bindëse dhe duhet t’u komunikohen të gjithë pjesëmarrësve në procedurën e prokurimit. Vendimi për anulimin e procedurës së prokurimit duhet botuar brenda 10 ditëve. Ky konstatim bazohet në numrin e lartë të anulimit të procedurave të zhvilluara, si dhe emrat e njëjtë të fituesve të kontratave të furnizimeve apo të punëve për çdo vit.

Në dy raste komisionet e vlerësimit të ofertave nuk kanë në përbërjen e tyre të gjithë specialistët e fushës, për zërat e punimeve që prokurohen, veprim i cili ngarkon me përgjegjësi administratorin e përgjithshëm si titullar i autoritetit kontraktues. Në 8 procedura tenderimi kualifikimi, shpallja fitues e operatorëve ekonomikë nga komisioni i vlerësimit të ofertave dhe lidhja e kontratave është kryer në mënyrë të padrejtë. Në dy raste shoqëritë zbatuese, nuk zotërojnë zotësinë profesionale për ta kryer sipërmarrjen e punimeve, pasi licencat e tyre, të regjistruara në regjistrin themeltar të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, nuk zotërojnë kategorinë NS11 “Punime në shina dhe traversa. Në katër raste dokumentacioni teknik i zbatimit të punimeve të ndërtimit nga sipërmarrësit, nuk është i plotë dhe i saktë, një pjesë e punimeve të zërave të punës, nuk janë kryer sipas specifikimeve teknike, si dhe nuk janë kryer fare (pra janë likuiduar pa u kryer punimi), duke krijuar një dëm ekonomik për llogari të buxhetit të shtetit në vlerën 16 397 268 lekë.

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/