8 Korrik 2015 – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bëri dje publike të dhënat e muajit qershor 2015, sipas të cilave, konfirmohet stabiliteti i pagesës së faturës së energjisë elektrike, uljes së humbjeve dhe fillimit të investimeve konkrete në sektor.
Burime zyrtare nga OSHEE-ja bënë me dije se arkëtimet këtë muaj arritën në 4.5 miliardë lekë, afro 1.2 miliardë më tepër se qershori i vitit 2014, dhe 2 miliardë më shumë se 2013-a. Sipas të njëjtave burime, në total, si 6-mujor, arkëtimet arritën në vlerën e 34.3 miliardë lekësh, plot 11.4 miliardë më tepër se periudha janar-qershor 2014 (50% rritje), dhe 15.4 miliardë më shumë se 2013-a (82% rritje).
“Vlera 100 milionë dollarë, më shumë arkëtime si 6-mujor, në raport me pjesën e parë të vitit 2014, dëshmon qartë se kompania OSHEE është e angazhuar seriozisht për të realizuar objektivat e vendosura në bashkëpunim me qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë”, shprehen në OSHEE.
Tregues tjetër pozitiv është fakti se kompania ka performuar pozitivisht në muajt maj-qershor 2015, pavarësisht periudhës zgjedhore. Nga ana tjetër, humbjet në rrjet vijojnë reduktimin, duke i dhënë kompanisë OSHEE, por edhe buxhetit të shtetit, frymëmarrjen e munguar gjithë këto vite. Në qershor, humbjet zbritën në nivelin 28.6%, kur dy vjet më parë ishin mbi 40%. Humbjet në total si 6-mujor, tekniket dhe jo tekniket, arritën në 32.3%, nga 40.3% që ishin në 2014-n, dhe 45.3% të regjistruara në 6-mujorin e parë 2013.
Reduktimi i humbjeve, si pasojë e mirëmanaxhimit të sektorit dhe luftës së pandalshme ndaj vjedhjes së energjisë, i kanë sjellë kompanisë të tjerë tregues pozitivë, si në rastin konkret tek importet. Si rrjedhojë e uljes së sasisë dhe reduktimit të çmimit për njësi të energjisë së blerë për periudhën janar – korrik 2015, janë kursyer rreth dhe 44.8 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014.
/Sot News/