·       Parashikohet të investohet për ndërtimin e 60 kabinave të reja, shtyllave, zëvendësim të rreth 50 kilometër kabllo të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometër kabllo të tensionit të ulët ABC

·       Në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones niveli i humbjeve në rrjet shkon në rreth 45 për qind. Me kryerjen e investimeve mendohet që këto humbje të zbresin deri në masën 12 për qind

DURRËS, 7 korrik 2015 – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka filluar fazën e investimeve në zonat më problematike, si ish-Këneta në Durrësin e ri. Drejtori i OSHEE-së Adrian Çela sqaron se projekti parashikon kryerjen e investimeve të ndara në disa segmente:

“Loti 1 ka një vlerë prej 83 milionë lekë. Kurse loti 2 shkon në 360 milionë lekë, ndërsa janë edhe tre lote të tjera. Totali i investimeve në Durrës shkon në 800 milionë lekë. Janë investime që shkojnë për zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones. Parashikohet të investohet për ndërtimin e 60 kabinave të reja, shtyllave, zëvendësim të rreth 50 kilometër kabllo të tensionit të mesëm dhe rreth 30 kilometër kabllo të tensionit të ulët ABC”.

10 MIJË FAMILJARË E BIZNESE

Sipas të dhënave të OSHEE-së, në zonën e ish-Kënetës, Spitallës dhe Sallmones niveli i humbjeve në rrjet shkon në rreth 45 për qind. Kryerja e investimeve parashikon zbritjen e nivelit të humbjes për këto zona deri në masën 12 për qind. Projekti do të zgjasë 3-6 muaj dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për mbi 10 mijë familjarë e biznese.

TENDERI KURSEN 73MIJË EURO

Më 2 qershor 2015 është zhvilluar tenderi për ndërtimin e dy fiderëve të rinj 20 kV, në nënstacionin 110/20 kV Spitallë dhe rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të ulët të kabinave të dy fiderëve të rinj, Spitallë-Durrës, me fondin total 365 449 605 (2, 7 milionë euro), me afat 6 muaj nga lidhja e kontratës.

Në procedurën e prokurimit morën pjesë tre operatorë ekonomikë. Dy prej tyre u shkualifikuan. Njëri nuk kishte paraqitur ofertë ekonomike. Kurse tjetri pati probleme me mosrespektimin e kërkesave (nëse në dokumentet standarde të tenderit ishin parashikuar transformator fuqie 20/0,4 kv, 250kva dhe transformator fuqie 630 kVA 20/0,4 kV, operatori ofertues ka paraqitur transformatorë 630kva dhe 250 kva me humbje mbi normën e lejuar).

Sipas OSHEE-së, fitues doli bashkimi i dy shoqërive që ka ofertuar një vlerë prej 355 284 856.21 (2 537 748 euro), ose 10 164 748.79 lekë (73 mijë euro) më pak se fondi limit.

Të shkualifikuarit nuk kan pasur ankesë.

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/