DURRËS, 7 korrik 2015 – Shumë frekuentuesve të plazhit të Durrësit, të shtunë, të dielën, të hënën, të martën 3-7 korrik 2015 u ka bërë përshtypje se vajza dhe djem, në vend që të “harboheshin” në dëfrime, të veshur me xhinse të shkurtra dhe T-shirt-e të bardha, shpërndanin fletëvolante me këshilla për pushuesit dhe fletëpalosje të ndihmës së parë. Janë vullnetare dhe vullnetarë durrsakë që marrin pjesë në programet e Kryqit të Kuq, dega Durrës (në sociologjinë e viteve të fundit po flitet për “New Youth”, për një brez rinor të tipit të ri, si dukuri, që është më social, më i lidhur me hallet e bashkësive, ku banojnë dhe jetojnë. Mos vallë dhe në Durrës kemi të bëjmë me një “Rini të Re”?)
Është për t’u vlerësuar dhe përshëndetur përkushtimi i këtyre të rejave dhe të rinjve durrsakë dhe në ndërgjegjësimin për rrezikun nga SIDA. Është prekëse: të mendosh për moshën e tretë, t’u shërbesh, qoftë edhe duke u bërë një kafe, çaj apo kakao e biskota; të luash e të bisedosh me ta është një ditë e kaluar bukur në qendrën ditore për të moshuar të vetmuar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/