23 qershor 2015 – Një vajzë shqiptare vetëm 15 vjeçe, ka ikur nga shtëpia e saj dhe është martuar me një terrorist në Siri, shkruan gazeta ‘Tages Anzeiger’.
Sipas kësaj gazete, vajza ka lindur në Zvicër, në qytetin Winterthur dhe mbiemri i saj është Loxha. Madje gazeta raporton se nga e njëjta familje ka ikur edhe djali i kësaj shtëpie, që është 16 vjeç.
Fëmijet janë larguar që në dhjetor të vitit të kaluar, dhe babai i tyre ka shkuar në Turqi për t’i kërkuar, por pa rezultat. Edhe policia zvicerane me atë turke kanë bërë përpjekje për gjetjen e dy të rinjve, por sërish asnjë rezultat.
Babai i fëmijëve, i cili refuzon çdo kontakt me median, kishte deklaruar se ishte më se i bindur se fëmijët e tij janë radikalizuar nga elementë të organizatës terroriste ISIS.
Gazetari zviceran Kurt Pelda, i cili ka raportuar nga Siria për gazetën ‘Tages Anzeiger’, duke iu referuar burimeve të besueshme, ka bërë të ditur tani se vajza e familjes Loxha është martuar me një xhihadist në Raka, që konsiderohet si kryeqyteti i ISIS-it.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





