22 qershor 2015 – Ekziston një lloj kureshtjeje edhe për mënyrën se si vishen personalitetet politike, sidomos kur bëhet fjalë për një ditë të veçantë për politikën. Kështu, disa prej tyre zgjodhën të jenë tërësisht zyrtarë, ndërsa disa të tjerë parapëlqyen ta thyejnë zyrtarizmin paksa. Përzgjedhja e mëposhtme vë në pah personalitetet më në zë të politikës shqiptare, me gjithë ngjyrat e saj në veshje dhe simbolikë.

Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda Rama

Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, thyen formalizmin e të gjitha çifteve të tjera, si për sa u përket zgjedhjes së ngjyrave, ashtu edhe modelit të veshjes. Në njërën diagonale çiftin e bashkonte ngjyra e grisë së errët, ndërsa në tjetrën ngjyra verore e portokallisë së Lindës thyente blunë e errët të Edi Ramës. Ndër të tjera, Edi Rama kishte zgjedhur një simbol sportiv për të pasqyruar numrin 23 brenda veshjes së tij. Krejt të shkujdesur dhe pa formalizëm në qëndrim, çifti Rama pasqyronte hare.

Erjon Veliaj dhe Ajola Xoxa 

Mjaft entuziastë në qëndrim dhe kapur për dore, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxaj zgjodhën të vishen, pothuajse, në ngjyrat kombëtare. Veliaj nuk u paraqit me kostum, pavarësisht se pati përshtatur pantallona dhe xhaketë klasike, duke parapëlqyer ngjyrën e errët, por jo të zezë të tyre, thyer nga këmisha e bardhë. Ndërsa Ajola spikati me një nuancë të së kuqes në një fustan relativisht të gjatë dhe me një kapje të natyrshme flokësh, si dhe me një theksim mjaft natyral të tipareve.

Halim Kosova dhe bashkëshortja e tij 

Edhe kandidati tjetër për kryetar bashkie, Halim Kosova, shkoi në votime së bashku me të shoqen. Pavarësisht veshjes serioze, në xhaketë blu dhe këmishë të bardhë, në këtë çift bashkëshortësh, ajo që i kishte kushtuar më tepër rëndësi veshjes, ndonëse thjeshtësisht, ishte e shoqja, veshja e së cilës përmbante kuadratë të vegjël, formësuar me ngjyrat e blusë së blertë dhe së bardhës.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi 

Çifti Ilir Meta e Monika Kryemadhi erdhi me specifikën e vet. Iliri Meta, në shoqërim të këmishës ngjyrë rozë të lehtë, kishte një xhaketë në të kaltër të fortë, sigurisht, pa kravatë, kurse Monika Kryemadhi kishte përzgjedhur ngjyrën e bardhë dhe mbylljen e plotë në prerje, duke munguar krejtësisht dekolteja.

Grida Duma dhe bashkëshorti i saj Ilir Shqina

Shkëlqyese rezultoi kandidatja për kreun e bashkisë në Durrës, Grida Duma, shoqëruar nga bashkëshorti i saj, për të cilin nuk mund të shprehemi me të njëjtin vlerësim. Grida spikati me zgjedhjen e saj, pavarësisht ngjyrës së kaltër të lehtë në gri, një veshje midis fustanit apo kostumit, ndërkohë që bashkëshorti i saj ishte veshur në pantallona dhe këmishë. Këtë të fundit kishte parapëlqyer ta vishte në mënyrë sportive, edhe pse ishte klasike, veshur, ndër të tjera, mbi një tjetër bluzë. Si përfundim, nuk mund të themi se bashkëshortët ishin në harmoni për sa i përket veshjes.

Lulzim Basha dhe familja e tij 

Kryetari i Bashkisë Tiranë për katër vitet që lamë pas, Lulzim Basha votoi familjarisht, por mungoi në kuadrin familjar, tërësisht serioz në ngjyra, prania e bashkëshortes së tij, prania e ngjyrave të ngrohta, gjithashtu. Ai vetë ishte veshur me pantallona të zeza dhe, sigurisht, këmishë të kaltër të lehtë.

Sali Berisha

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shkoi në votime krejtësisht ceremonial, brenda kostumit të zi dhe këmishës së bardhë, shoqëruar me ngjyrën simbolike të partisë së vet në kravatë, në ngjyrën e blusë së fortë. Pavarësisht buzëqeshjes karakteristike, në portretin e tij nuk ndihej entuziazmi i dikurshëm.

Presidenti Bujar Nishani

Presidenti i vendit, Bujar Nishani dhe bashkëshortja e tij Odeta Nishani, siç edhe pritej, ishin së bashku dhe zyrtarë në veshje, por jo tërësisht. Presidenti pati zgjedhur ta shmangë kravatën, kurse e shoqja e tij, përmes një vijëzimi të bardhë në skaje, por edhe stilit të fustanit, ishte përpjekur të shmangte zymtësinë e zyrtarizmit, duke u shfaqur me një dekolte elegante, duke krijuar përshtypjen e një zonje elegante dhe dinjitoze.

/Marrë nga 'Shekulli'/