DURRËS, 20 qershor 2015 –  E përditshmja pulieze “La Gazzetta del Mezzogiorno” njofton se bashkia italiane e Polignano-s ka paraqitur ankesë në Këshillin e Shtetit kundër kompanisë “Enel Produzione” lidhur me autorizimin që i është dhënë asaj nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Rajoni i Pulias. “Enel”-i synon të realizojë një linjë tregtare (linjë private interkonjeksioni) 500 kv-500 Mw, nënujore dhe tokësore, mes Italisë dhe Shqipërisë, me një stacioni të ri elektrik në Casamassima. Linja niset nga Porto Romano në Durrës. Është planifikuar që linja të kalojë në San Vito, zonë portale turistike, dhe Contrada Grottole, zonë e mbrojtur arkeologjike dhe me trashëgimi historike-kulturore, me liqene natyrore etj.

Projekti i linjës së interkonjeksionit, që sipas vlerësimeve fillestare do të duhej të fillonte punimet e ndërtimit deri në qershor 2014, ka hasur në një pengesë. “Procedura e ndjekur është e pasaktë, njësitë e pushtetit vendor (komuna / bashki) nuk u konsultuan dhe ndërhyrja prek zona me interes të rëndësishëm arkeologjik dhe turistik”. Këto janë arsyet ku u bazua vendimi i seksionit të parë të Gjykatës Administrative Rajonale (TAR – Tribunale Amministrativo Regionale) e Pulia-s, që bllokoi projektin prej 500 MW të linjës së interkonjeksionit nga Durrësi me tubacion detar në Casamassima nëpërmjet San Vito di Polignano-s, Mola di Bari-t, Conversano-s, Rutigliano-s, Turi-t. Pasi pranoi kërkesën për pezullim paraqitur nga bashkia / komuna e Polignano-s, Gjykata Administrative Rajonale pezulloi procedurën për realizimin e projektit të Enel Produzione, që, ndonëse është kundërshtuar nga komuniteti, kishte marrë OK e Departamentit të Energjisë së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Italisë (vendimi nr. 239 i 19 shtatorit 2013) dhe të Rajonit (leja e 19 janarit 2012). Kontestimi ndaj Ministrisë, Rajonit dhe Enel Produzione-s vjen nga fakti se preken vende arkeologjike dhe turistike dhe se nuk u dëgjua komuniteti. Në lidhje me pikën e daljes së linjës së interkonjeksionit në San Vito, gjyqtarët theksuan se “zgjedhja nuk ka marrë parasysh potencialin turistik të rajonit”.

Info

Linja e interkonjeksioni do të fillojë nga bregdeti shqiptar deri në Polignano dhe do të shtrihet në territoret e qyteteve / komunave të Mola-s, Conversano-s, Rutigliano-s, Turi-t dhe Casamassima-s. Në komunat e Sud Est-it, po kërkojnë detaje për këtë projekt, sidomos në zonat ku do të ngrihen kantieret dhe mbi ndikimin në mjedis dhe në një territor në të cilin ka shumë vende arkeologjike dhe zona të mbrojtura. Linja e transmetimit të energjisë elektrike do të fillojë nga TEC-i me qymyr në Porto Romano, qyteti i Durrësit, Shqipëri, deri në bregdetin e Polignano-s dhe prej këtej në Sud Est. Projekti mban firmën e “Enel Produzione”-s dhe ka miratim ministror për një lidhje me gjatësi 31 km në tokë dhe 27 km në det, i quajtur teknikisht “linjë tregtare”,  me rrymë të vazhdueshme deri në 500 megavat, për të importuar energji nga TEC-i shqiptar me qymyr, që do të hynte në funksionim në qershor 2014.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/