10 qershor 2015 – Papërgjegjshmëri, marrëzi dhe korrupsion me superstradën që lidh dy qendrat më të madhe dhe më të rëndësishme të Shqipërisë, Tiranën me Durrësin. Abuzimi me vendosjen e palmave, në kundërshtim flagrant me Kodin Rrugor dhe rregullat e sigurisë rrugore, në dy anët e një segmentit të superstradës Tiranë-Durrës, po u kushton shtrenjtë qytetarëve shqiptarë.  

Shpenzimi i miliona dollarëve për të përmirësuar imazhin në hyrje të Tiranës, është pasuar me disa veprime dhe zhvillime zinxhir, duke u prodhuar një rrezik kombëtar në mes të Shqipërisë. Çfarë ka ndodhur? Pas vendosjes së palmave në kundërshtim me standardet e sigurisë, qeveria ka vendosur të kthejë këtë segment rrugorë në bulevard, duke ulur shpejtësinë me 30 kilometra në orë, konkretisht nga 90 kilometra në 60 kilometra. Ulja e shpejtësisë ka ardhur si pasojë e vendosjes së palmave, të quajtura edhe si palmat vrasëse, pasi rrisin shumëfish shanset që një aksident të ketë pasoja fatale. Nëse bordura e betonit e sposton majtin gjatë aksidentit, palma, sipas ekspertëve, ka pasoja fatale për drejtuesin e mjetit. Ndërkaq, ndërsa vendet fqinje po shohim mundësinë e rritjes së shpejtësisë në rrugë, për t’iu përshtatur intensitetit të zhvillimeve të reja, në Shqipëri bllokohet aksi kryesor që lidh dy qendrat më të mëdha të biznesit. Dhe rezultatet nuk kanë vonuar.  

Superstrada Tiranë-Durrës është kthyer në një makth për mijëra qytetarë shqiptarë, për shkak të trafikut të paimagjinueshëm që është krijuar. Përpos konsumit të karburantit, pasi automjeti qëndron 2-4 orë ndezur, pasojat më të rënda janë mbi psikikën e qytetarëve, stresin dhe pasojat negative pas zhbllokimit të trafikut, ku drejtuesit e automjeteve e humbin qetësinë. Nëse nga Tirana, në çdo skaj të Shqipërisë shkon maksimumi për dy orë, në fundjavë, për të shkuar nga Tirana në Durrës duhen 3-4 orë. Nëse nga Tirana në Durrës, në kushtet normale mund të shkosh për 30-40 minuta, tani duhet trefishi i kohës. Ndoshta qeveria ka pasur vullnetin e mirë për të përmirësuar imazhin në atë segment, por palmat vrasëse në të dy anët e rrugës janë kthyer në torturë të vërtetë, ndërsa çdo i huaj shokohet kur i shikon.   

Policia nis gjuetinë 

Pas uljes së shpejtësisë nga 90 në 60 kilometra në orë, Policia e Shtetit ka rritur prezencën në superstradën Tiranë-Durrës, jo për të rritur sigurinë në rrugë, por për të mbushur arkën me gjoba. Të vetëdijshëm që pakkush do ta respektojë shpejtësinë maksimale 60 kmh, policia ka nisur të zërë prita në këtë segment, duke prerë gjoba masive për tejkalim shpejtësie. Ndërkaq, numri i aksidenteve, sidomos në fundjavë, ka qenë i konsiderueshëm. 

/Sot News/