10 qershor 2015 – Shfaqen ngricat dhe akujt e parë në raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe amerikanëve. Ndonëse të dyja palët vijojnë të tregohen të kujdesshëm dhe të kamufluar në artikulimet publike, në prapaskenë, çështja e kandidatëve të inkriminuar ka krijuar një nervozizëm mes prezencës së SHBA-së në Tiranë dhe qeverisë “Rama”.

Shefi i qeverisë shqiptare ka demostruar shenja arrogance dhe rezistence, duke mos pranuar largimin e disa kandidatëve për kryetar bashkie, të skeduar tashmë nga Prokuroria dhe Ambasada Amerikane, si personazhe me rekorde të frikshme kriminale dhe me identitete të shumëfishta. Ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, pas presionit në rritje të amerikanëve, përjashtoi të paktën dy kandidatë të inkriminuar, kryeministri Edi Rama nuk lëshon kandidatët e tij të inkriminuar, për shkak të llogarive elektorale.

Jo rastësisht, Uashingtoni e vlerësoi dy herë si të guximshëm vendimin e opozitës për të larguar dy kandidatë të inkriminuar. Fillimisht, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë dhe më pas me anë të zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan, z. Hoyt Yee, SHBA-ja ka theksuar dy herë vlerësimin për vendin e opozitës, duke i dhënë një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama, i cili duket se vijon ta konsiderojë ende si një lojë të zakonshme politike procesin e dekriminalizimit. Sipas burimeve, të paktën emrat e tre kandidatëve të Partisë Socialiste, me të shkuar kriminale dhe me emra të shumëfishtë, kanë shkuar prej disa ditësh në tavolinën e kryeministrit Edi Rama, duke e vënë këtë të fundit para një prove të vështirë, por vendimtare.

Ndërsa amerikanët kanë shtuar presionin, duke dërguar në Tiranë edhe zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal, për largimin e tre kandidatëve në fjalë. Teksa ambasadori Donald Lu ka deklaruar se kandidatët e inkriminuar nuk kanë të ardhme në politikën shqiptare, duke paralajmëruar edhe bllokimin e vizave amerikane për to, kreu i partisë më të madhe në vend, duket se nuk ka ndërmend që të tërheqë asnjë kandidat. Nuk dihet nëse SHBA-ja do të aplikojë ndonjë mjet tjetër presioni dhe trysnie ndaj kryeministrit Rama apo nëse do të bëjnë publike emrat e tre kandidatëve të inkriminuar. 

Dyshimet për takimin   

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Hoyt Brian Yee, zbarkoi dy ditë më parë në Tiranë, për çështjen e dekriminalizimit dhe të situatës parazgjedhore në Shqipëri. I shoqëruar nga ambasadori Donald Lu, zyrtari i DASH zhvilloi takime me kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën, kreun e opozitës, Lulzim Bashën dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin. Ndërkaq, nuk dihet nëse ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama. Të paktën kryeministri nuk ka pasqyruar asnjë takim mes kryeministrit dhe zyrtarit të lartë të DASH.

/Gazeta SOT/