8 qershor 2015 – Qyteza sllovene Piran ka për kryebashkiak një afrikan. Mjeku me profesion, Peter Bossman, u zgjodh si qytetari i parë i kësaj zone turistike, edhe pse me origjinë nga Gana. Prej gati 30 vitesh ai ka jetuar në Slloveni, ku u shkollua dhe vendosi të qëndronte.

Mediat botërore i dhanë nofkën "Obama i Piranit", por se është i suksesshëm si politikan dëshmon fakti se tashmë për të dytën herë u zgjodh për kryebashkiak në qytetin me 16.500 banorë. Detyrën e kryebashkiakut e kryen që nga viti 2010, dhe për këtë arsye është dashur të lë anash praktikën mjekësore, por jo tërësisht.

I pyetur se me çfarë ka fituar besimin e qytetarëve të Komunës Piran, Bossman përgjigjet se problemi i madh i politikanëve është se nuk dinë të dëgjojnë popullin.

 

"U thashë: 'Piranët e mi, unë do t'ju dëgjoj.' Dhe një tjetër gjë, u thashë se nuk do t'i gënjejë. Njerëzit nga politikanët kërkojnë të vërtetën, e vërteta ndihmon", thekson Bossman, shkruan Express.