8qershor2015 – Përmbytjet që ndodhin në Durrës kanë frikësuar kandidatët për bashkinë e madhe. Siç ndodhi dje, edhe ditën e sotme, premtimet kanë qenë në unison, të bëra si nga kandidati i majtë, Vangjush Dako, edhe ajo e djathtë, Grida Duma.
Kjo e fundit, gjatë një takimi me banorët të lagjes së re, tha se, do të pastrohen kanalet brenda 6 muajve për të shmangur përmbytjet. “Do fillojmë me standardin; gjelbërim në çdo kuartallë menjëherë. Kanalin e ujërave të larta, brenda 6 muajve do ta pastrojmë dhe do ta ristabilizojmë se ai nuk është dëm vetëm për ju por është dëm për gjithë përmbytjet e qytetit, megjithëse ai zotëria thotë që për dy orë stabilizohet situata”, tha Duma.
Por, nga ana e tij, kryebashkiaku aktual, Dako premtoi të njëjtin aksion në takimin me banorë të Katundit të Ri. “Gjatë 20 viteve në zonën tuaj nuk është bërë asgjë për të mbështetur fermerët, prandaj ne do të realizojmë pastrimin total të kanaleve kulluese dhe vaditëse. Ky nuk është thjesht një premtim elektoral, sepse pas 21 qershorit pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve të tilla do të jetë detyrë funksionale e bashkisë”, u shpreh Dako. Megjithëse Dako foli për zonat që i bashkëngjiten Bashkisë së Durrësit, nuk ka një projekt konkret si mund të shmanget përmbytja brenda qytetit.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”