6 qershor 2015 – *Spostimi i autobusëve të Jugut dhe Tiranës nga Stacioni i Trenit
*Dako me përfaqësues të agjencive turistike: Sistem për pagesën e taksave online
*Veliera para portit dhe sheshi i drejtësisë, projekte që ndryshojnë imazhin e Durrësit
-Në fillim të korrikut, do të spostohen të gjithë autobusët që operojnë në linjat e Jugut, ndërsa në fillim të vitit 2016 do të zhvendosen edhe autobusët që nisen drejt Tiranës, të cilët aktualisht të gjithë ndodhen te sheshi i Stacionit të Trenit në Durrës. Kështu ka bërë të ditur kryebashkiaku aktual i Durrësit Vangjush Dako, gjatë një takimi me përfaqësues të agjencive turistike.
Autobusët e Jugut do të vendosen te sheshi që është ndërtuar poshtë mbikalimit të Plepave, ndërsa autobusët e Tiranës do të nisen nga sheshi i krijuar pranë rrugës së re paralel me murin e portit. Në këtë mënyrë, tha Dako, sheshi para agjencive turistike te Stacioni i Trenit do të jetë në dispozicion për qëndrimin e taksive dhe parkimin e autoveturave.
Gjithashtu gjatë këtij takimi, kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit, foli edhe për një projekt të ri mjaft ambicioz, që ka të bëjë me pagesën e taksave online.
Me aplikimin e këtij projekti, Dako tha se durrsakët nuk do të humbasin më kohë në radha për të paguar fatura nga më të ndryshmet.
Veç kësaj, Dako është përqëndruar edhe te dy projekte të veçanta, siç janë veliera para hyrjes së portit, një strukturë masive e mbështetur në katër këmbë si dhe sheshi drejtësisë para Mauzoleumit të Dëshmorëve ku do të ndërtohen dy godina për Prokurorinë dhe Gjykatën.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/