3 qershor 2015 – Punimet për zbatimin e projektit madhor të ujësjellësit të Durrësit fillojnë në shtator. Lajmi u bë i ditur në takimin që Vangjush Dako zhvilloi me drejtues të lartë të Bankës Botërore, ku u diskutua rreth çështjeve teknike për zbatimin e këtij projekti, si dhe afatet konkrete të zbatimit të punimeve për realizimin e tij.

Nëpërmjet këtij projekti, zbatimi i punimeve të të cilit do të zgjasë një vit, do të trefishohet vëllimi i ujit që furnizon Durrësin, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të furnzimit me ujë të pijshëm të gjithë territorit të Bashkisë së re. Njëkohësisht, ky projekt i jep zgjidhje përfundimtare edhe sistemimit të kanaleve sekondare të ujërave të zeza për qytetin, si dhe të gjithë zonat e reja që i janë bashkëngjitur Bashkisë së re me ndarjen e re administrative-territoriale.

Financimi i përgjithshëm i këtij projekti u mundësua nga një grant prej 62 milionë eurosh i Bankës Botërore, në vijim të marrëveshjes së nënshkruar në muajin nëntor të vitit 2013 midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për investimin që përfshin të gjithë rajonin e qytetit të Durrësit me objekt sektorit e ujit.

6 komponentët e investimeve parësore të këtij projekti, janë si në vijim:

1. Linja e re e furnizimit nga Fushë-Miloti – Durrës = 37.6 milionë € (realizimi brenda 6 muajsh)

 a) Financimi i linjës së re të furnizimit nga Fushë –Miloti, përfshirë një stacion të ri pompimi. Linja do të jetë me një kapacitet prej 630 l/s, ndërsa linja ekzistuese do të përdoret edhe për fshatrat përgjatë linjës. Linja e re do të bëjë që të  3-fishohet sasia e ujit që do furnizojë  Durrësin duke  përmirësuar dukshëm shërbimin e furnizimit të qytetit dhe zonës se plazhit. Ka mbaruar pre-kualifikimi dhe brenda 1 muaji do të dorëzohen ofertat nga firmat pjesëmarrëse, brenda vitit do të fillojë zbatimi.

 b) Përmirësimi i furnizimit me ujë të gjithë zonës rurale përgjatë linjës ekzistuese të burimit Fushëkuqe, që përfshin ndërtimin e disa  rezervuarëve për furnizimin me ujë të  fshatrave.

2. Ndërtimi i Rrjetit sekondar dhe terciar të kanalizimeve në zonën e Plazhit = 5 milionë €  (ka mbaruar projekti, tenderohet brenda korrikut, fillon brenda 2015)

Synohet të realizohet shkarkimi i ujërave të ndotura për të gjithë zonën e Plazhit  në kolektorin e ri të kanalizimit nga Përroi Agait në  Impiantin e Përpunimit të Ujrave të Ndotura.

3. Reduktimi i Ujit pa të Ardhura = 2 milionë € (brenda vitit 2015); Synon instalimin e matësave, duke bërë të mundur kthimin 100 %  të konsumatorëve nga ‘’aforfetë’’ në ‘’me matës’’. Matësa elektronik përgjatë linjës për monitorimin on-line të humbjeve.

4. Rehabilitimi i rrjetit të brendshëm të qytetit = 7 milionë € (parashikuar të fillojë në 2016) për të përballuar me sukses investimin e ri dhe për të eliminuar ndotjet në qytet.

5. Rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve brenda qytetit (ndarja e ujërave të zeza nga të bardhat) = 4 milionë € (parashikuar të fillojë në 2016). Ndërtimi i tre kolektorëve të rinj, të cilet do vazhdojnë me mbledhjen e ujrave të zeza nga zona e Currilave për në stacionin e pompimit nr.8, për të vazhduar  në stacionin e pompimit nr. 7 duke përfunduar në stacionin e pompimit nr. 9. 

6. Rritja e kapaciteteve të Ndërmarrjes UKD dhe ristrukturimi i saj janë pjesë e këtij investimi.

Objektivi kryesor i këtij investimi dhe i vetë Ndërmarrjes UKD është plotësimi i nevojave për ujë të pijshëm në të gjithë zonën e shërbimit, si në qytete ashtu edhe në zonat rurale. Gjithashtu, minimizimi i humbjeve, eliminimi i ndotjeve në rrjet,  rritja e faturimit dhe e arkëtimit, është thelbësore për të qenë një ndërrmarje e qëndrueshme ekonomikisht dhe fitimprurëse. Vetëm kështu do të arrihet një shërbim gjithmonë e më cilësor për konsumatorët dhe i përballueshëm ekonomikisht nga ata.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/