2 qershor 2015 – Kryedemokrati durrsak Osman Stafa në konferencën e sotme për shtyp denoncoi sipas tij presionet dhe terrorin e ushtruar nga kandidati Dako dhe falangat e tij kundra durrsakëve me qëllim tjetërsimin e votës. Stafa u shpreh: Bufi Dako në errësirën e natës me bandën e çakejve të vet, shumica me precedentë të rëndë penalë, u bën presion njerëzve sidomos intelektualëve dhe nëpunësve të administratës për të tjetërsuar votën, për të votuar kandidaturën e skaduar të Dakos. Stafa theksoi se Dako një njeri i vogël nuk i ka shërbyer fare Durrësit, një qyteti të madh, kështu që duke ndier indiferencën dhe braktisjen nga elektorati, madje edhe ai i majtë kërkon votën me dhunë dhe me presion.
Stafa në konferencën për shtyp i doli në krah biznesit vendor dhe denoncoi me emër dhe mbiemër subjektet nën presionin sipas tij të Dakos dhe organve shtetërore të vëna në shërbim të kandidatit humbës Dako. Në ish komunën Ishëm dy biznese përkatësisht: subjekti tregtar pikë karburanti “Fatbardh Lezemerja” dhe “Kristaq Xhixha” dje pasdite dhe në orët e vona të natës së të hënëns më 1 qershor 2015 janë vënë nën rrethim policor. I gjithë shteti i është vënë në shpinë këtyre biznesëeve duke filluar nga polici i komunës, te policia kriminale madje edhe Task-forca e karburanteve e ardhur nga Tirana. Këtyre bizneseve u bëhet presion dhe vihen nën rrethim policor, sepse pronarët e tyre janë njerëz me influencë të ndjeshme në zonën e Ishmit. Fisi Lezemerj në Ishëm ka një të shkuar zogiste. Ata janë ndër themeluesit e PD-së në janar-shkurt 1991, dhe kanë përfaqësuar PLL-në në Këshillin e Komunës Ishëm në vitet (2003-2007).
Informacion për OSBE-në dhe ODIHR-in
Z, Stafa theksoi se të tilla presione të Dakos dhe njerëzve të tij u janë bërë prezent përfaqësuesve të OSBE-së dhe ODIHR-it në Durrës. Pas pyetjes së Durrës lajme, z. Stafa sqaroi se bëhet fjalë për përfaqësues lokalë të këtyre institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi se kandidatja Duma-Shqina ka kontaktuar edhe OSBE-në dhe ODIHR-in në Tiranë për të njëjtën problematikë alarmante.
Zj. Glover takon Kryebashkiakun Dako
Konferenca për shtyp e z. Stafa përkoi me vizitën në Durrës të zj. Audrey Glover, shefe e misionit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore. Zj. Glover pati takim kokë më kokë me kandidatin Dako. As z. Dako, as zj. Glover nuk kanë bërë publike se çfarë u diskutua në takimin e tyre kokë më kokë.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”