1 qershor 2015 – Suksesi sipas kandidates së djathtë për Durrësin, Grida Dumës, nuk do jenë rrugët e reja, por që çdo familje të ketë minimalisht një person të punësuar gjatë një mandati 4-vjeçar.

Këto deklarata Duma i bëri gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Katundit të Ri, ku i ftoi ata të bashkohen të gjithë rreth fitores së përbashkët më 21 qershor.

“Nesër nuk do të jetë arritje që me taksat do të bëjmë rrugët. Nesër do jetë arritje që çdo familje e bashkisë së Durrësit do ketë minimalisht një të punësuar. Periferia bën produktin bujqësor dhe t’i jepet mundësia që t’i shitet tek tregu dhe këtë do t’ua siguroj me 3 tregje të mëdha që do të lidhin zonat bujqësore, me pikën e grumbullimit, me tregun e lëvizshëm që do bëjmë në qytet dhe zona të tjera ku do kemi edhe produkt bujqësor, por edhe produkte të tjera. Do ta çojmë produktin bujqësor drejt turizmit. Do ndërtojmë një agroturizëm që e meriton secili nga ne. Ju ftoj të ndjejmë frymën e fitores nga tani deri më 21 qershor”, u shpreh Duma. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/