31 maj 2015 – Në koncertin e instrumentistëve gjermanë të zhvilluar në arenën e amfitetarit antik të Durrësit, i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Gjermanisë Hellmut Hoffmann, i cili u shpreh mjaft i kënaqur që ndodhej në një qytet si Durrësi.

"Për ne është një kënaqësi që të vijmë në një qytet kaq të këndshëm siç është Durrësi. Ishte një ide shumë e mirë që në këtë amfiteatër të dëgjohej një muzikë shumë e bukur”, ka thënë ambasadori gjatë përshëndetjes së tij.

Edhe kryebashkiaku Vangjush Dako, sigurisht i pranishëm në këtë koncert, u shpreh se të rinjtë gjermanë pas vizitës së tyre të parë në Durrës dhe Shqipëri, me siguri që do ta ndryshojnë opinionin për ato që kishin dëgjuar më parë rreth vendit tonë.

“Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për integrimin e dy kulturave, asaj shqiptare dhe gjermane dhe ne do të vazhdojmë me aktivitete të tilla. Unë i uroj mirëseardhjen të rinjve gjermanë dhe sot ata shohin një ambient modern, një Durrës ndryshe dhe besoj se do të jenë dallëndyshet e Shqipërisë në Gjermani”, deklaroi Dako. 

Orkestra sinfonike e të rinjve gjermanë nga Berlini me dirigjent Knut Andreas, përbëhej nga 83 persona. Ajo ka interpretuar pjesë nga kompozitorë të njohur si George Bizet, Enio Morricone, Carl Nielsen dhe Dmitri Schosttakoësitsch. Në këtë koncert kanë marrë pjesë edhe instrumentistët e orkestrës rinore të harqeve "Tirana", me dirigjent Bujar Alliu. Kjo e fundit ka interpretuar pjesë nga kompozitorët Pjetër Gaci dhe Ymer Skënderi. Një vit më parë kjo orkestër ka qenë në Berlin me ftesë të orkestrës sinfonike të të rinjve gjermanë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/