29 maj 2015 – Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka ngritur edhe një herë shqetësimin për ngjarjen e rëndë që ndodhi para dy ditësh në Bashkinë Sukth, ku gjatë aktivitetit të kandidates Grida Duma u sulmuan në mënyrë të dhunshme dy punonjës të Bashkisë Sukth dhe sekretari i seksionit të PD-së të fshatit Kullë.

PD-ja vijon të theksojë se ata janë goditur me mjete të forta dhe tytën e pistoletës dhe janë kërcënuar me jetë nga përfaqësues të shtabit elektoral të Vangjush Dakos në këtë Bashki.

Demokratët i thellojnë edhe më tej akzuat e tyre, sipas të cilëve policia ka gënjyer në mënyrë të qëllimshme, duke shpallur në kërkim vetëm dy nga autorët që kanë kryer aktin e dhunshëm.  

Vetë policia, sipas PD-së, është bërë pjesë e këtij skenari, duke mbrojtur autorin kryesor, Berti Hoxhën.

“Dje autorët e ngjarjes morën pjesë në aktivitetet elektorale të Vangjush Dakos në Bashkinë e Sukthit.

Trimërimi i tyre dhe mbështetja e policisë i bëri që gjatë marshimit të karvanit të turpit të Dakos nëpër Sukth të lëshonin kërcënime ndaj shtabit të PD-së në këtë qytet.

Ngjarja e ndodhur në Sukth është mjaft e rëndë dhe tregon për klimën konfrontuese që po mundohen të imponojnë në fushatë njerëzit e Vangjush Dakos dhe mund të jetë pararendëse e akteve të tjera në ditët e ardhshme.

Për fat të keq askush nuk e dënoi këtë ngjarje skandaloze. Qeveria, ministri i Brendshëm dhe Kryeministri heshtën dhe vazhdojnë të bëjnë sehir, madje me qëndrimin e tyre i inkurajojnë ata.

I bëjmë thirrje policisë të heqë dorë nga angazhimet politike në fushatën zgjedhore në Durrës, të kryejë detyrën duke mos u bërë palë me elemente me lidhje kriminale.

I kërkojmë Prokurorisë të marrë masa dhe ndalojë autorët e ngjarjes skandaloze në Sukth, që nuk është i vetmi konfrontim elektoral i kryer nga pasuesit e Vangjush Dakos në këtë fushatë.

Askush të mos mendojë se do shpëtojë sot apo në të ardhmen nga forca e ligjit”, thuhet në deklaratën për shtyp të deputetit Edmond Spaho.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/