· Fushata elektorale po vonon marrjen e masave për sezonin e ri, ndonëse, në mënyrë paradoksale, kandidatët po flasin për… turizëm!
·
DURRËS, 28 maj 2015 – Këshilli i Ministrave ka përcaktuar plazhet që mund të jenë subjekt autorizimi në bregdet dhe në ujërat e brendshme të identifikuara. Kështu në Durrës qeveria “njeh” Gjirin e Lalzit, Currilat, plazhin e Durrësit. Në çdo zonë lejet lëshohen nga bashkia duke i përkufizuar si plazhe. Kusrse Gjiri i Lalzit, 1 milje nga bregu, është zona e vetme në qarkun e Durrësit e identifikuar për t’u autorizuar për parashutizëm detar (parasailing) dhe surfing.
Ndërkohë fushata elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit për pushtetin vendor ka lënë disi në harresë masat që duhen marrë për fillimin e sezonit të ri turistik, ndonëse, në mënyrë paradoksale, kandidatët po flasin për turizëm. Janë një “tufë” detyrash që duhen realizuar si nga bashkia dhe komunat ekzistuese (komunat e Ishmit e Rrashbullit, bashkia e Durrësit), ashtu dhe nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, Policia Kufitare dhe Migracionit, Roja Bregdetare etj. Nga një sondazh që ka bërë “Dyrrah”-u në disa nga institucionet, del se pak është vënë uji në zjarr. Në punë me përkushtim janë vetëm Komunale Plazhi dhe Ujësjellës Kanalizimet Durrës sha.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/