27 maj 2015 – Në konferencën e përbashkët për shtyp të dy kryeministrave të Shqipërisë e Serbisë, i pyetur nga gazetarët për çështjen e dronit në stadiumin e Beogradit, Aleksandër Vuçiç deklaroi se ky incident ka qenë shumë i keq për marrëdhëniet mes dy vendeve. Madje ai u shpreh se kjo ka pasur qëllimin e saj politik dhe atë e ngriti Ismaili.

“Sigurisht ka qenë i organizuar politikisht, pasi flamurin e Shqipërisë së madhe nuk e pasqyroni në një aktivitet kulturor. I di emrin. Është zoti Ismail. Kanë ardhur nga Italia tre ose katër ditë para mbajtjes së kësaj loje. Kjo ka pasur qëllimin e vet politik. Kjo tregoi se sa të brishta janë marrëdhëniet tona”, u shpreh kryeministri serb në Tiranë.

Ndërsa, nga ana tjetër kryeministri Rama deklaroi se nuk do që të kthehet te çështja e fluturakut që na bëri objekt të lajmeve.

“Shqipëria e madhe nuk është as vizion, as projekt, as program dhe nuk na bën përshtypje kur shfaqet qoftë dhe në formën e siç u shfaq në stadium. Po të kishim parë një flamur të Serbisë së madhe, do kishim qeshur dhe nuk do e kishim marrë seriozisht, por është çështje perceptimesh”, deklaroi Rama.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/