26 maj 2015 – Kandidatët për Bashkinë e Durrësit kërkojnë votat nga gratë që punojnë në biznese fason. Në të njëjtën ditë, në dy ndërmarrje të ndryshme, Vangjush Dako dhe Grida Duma prezantuan programin e tyre se çfarë do të bëjnë për punësimin dhe femrat konkretisht.
Nga ana e socialistit Dako u premtua për barazi gjinore dhe më tej, ndërsa kujtoi hapjen e një zyre në bashki që ka zhvilluar punë konkrete në këtë drejtim. “Do të vijojmë me politikat mbështetëse në drejtim të rritjes së rolit të gruas jo vetëm në zhvillimin e qytetit, por edhe të rritjes së mbështetjes sociale për këtë kategori, si dhe të promovimit të vlerave të tyre”, tha Dako, për të disatën herë në një takim me gra rrobaqepëse.
Nga ana tjetër, edhe kandidatja e djathtë, Grida Duma bisedoi me gratë e vajzat e angazhuara në një biznes fason, duke deklaruar se kur ajo të zgjidhet, Bashkia e Durrësit do të ofrojë kushte më të mira pune e paga më të larta. “Paketa bashkiake e subvencionimit do të paguajë sigurimet e grave në nevojë dhe të rinjve të sapopunësuar duke sjellë një shtesë në rrogë të paktën me mbi 20 mijë lekë të vjetra në pagat minimale”, tha Duma.
Biznesi fason në Durrës ka përqindjen më të lartë të femrave të punësuara, duke qenë si burim i vetëm i angazhimit të tyre.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”