25 maj 2015 – Kreu i LSI-së, njëherazi dhe kryeparlamentari i Shqipërisë Ilir Meta, dje ka qenë në Vorë ku shpërndau rreth 300 certifikata legalizimi.

“Gati në më pak se 10 ditë angazhimi, mobilizimi të ALUIZNI-t, të Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave, ne sot kemi rreth 300 legalizime dhe ky proces do të vijojë në ditët dhe në javët që vijnë edhe në Domje e Bërxull, edhe në Prezë, edhe në Gërdec, sepse interesi i ynë është që t’u japim njerëzve zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi”, deklaroi Meta.

Gjatë fjalës së tij, Meta vuri në dukje gjithashtu se të gjithë janë dëshmitarë të angazhimit të qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama për të ecur me shpejtësi sa i takon procesit të legalizimeve. 

Ndërsa, drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame, tha se zona e Vorës është nga ato që ka më shumë problematika legalizimi, sepse është një zonë fushore një zonë që ka pritur jashtëzakonisht qytetarët në këto 20 vjet.

Sipas Lames, kandidati i majtë për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku, nëse fiton do të ketë shumë punë për të bërë për qytetarët që kanë probleme me legalizimin si dhe problematika të tjera të zonës.

Të tjerë figura politike të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në Vorë ishin edhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Ilirjan Muho, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Vorë  Luan Sallaku, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deputetët Artan Gaçi e  Xhemal Qefalia. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/