24 maj 2015 – Fiks një muaj më parë, pas shpalljes së kandidatëve zyrtarë të Bashkisë së Durrësit, gazeta “Dyrrah” bëri publik sondazhin e hapur për ta.

“Vangjush Dako i PS-së apo Grida Duma e PD-së? Për cilin do të votoni?” ishte pyetja për lexuesit e ndjekësit e agjencisë sonë. Pas një muaji dhe me nisjen e fushatës zyrtare, “Dyrrah” e mbyll sondazhin, ku kanë votuar plot 22332 persona.

Siç tregojnë edhe shifrat, kandidatja e PD-së, Grida Duma rezulton fituese me 49 për qind të votave, vetëm 3% më tepër se rivali i saj politik, Vangjush Dako. Kandidatja Duma, e cila për herë të parë kërkon postin e kryebashkiakes të Durrësit ka marrë nga lexuesit 11065 vota. Ndërkohë, kryebashkiaku aktual, i zgjedhur nga e majta, Vangjush Dako ka 46% të vota, saktësisht 10455 vota. Diferenca e ngushtë ka qenë e tillë përgjatë të gjithë muajit.

Fillimisht Duma pati përparësi në votim në krahasim me Dakon. Duke qenë figurë televizive mjaft e njohur, më herët si pjesë e shoqërisë civile dhe më pas koordinatore e PD-së për mediat ajo tërhoqi shumë simpatizantë. Grida Duma është me origjinë nga Durrësi dhe Partia Demokratike “goditi” me kandidimin e saj.

Më vonë, pozicioni i Dumës në sondazhin e “Dyrrah” u lëkund nga përparësia e kreut aktual, Vangjush Dako.

Dako lançoi punën e bërë nga ana e bashkisë në dy mandatet e tij, kryesisht në infrastrukturë, si: Rruga e Vilës, sheshi apo asfaltimi në zona problematike të Durrësit. Ditë pas dite, edhe Dako e zgjeroi fushatën e tij në zonat larg qendrës dhe në fshatrat që tashmë përfshihen në Bashkinë e madhe të Durrësit.

 

Megjithatë, ka durrsakë që mbeten ende skeptikë dhe pranon që të mos votojë asnjërin. Si Duma apo Dako nuk ua mbushin mendjen 812 votuesve që kanë marrë pjesë në sondazh.

30 ditë pas nisjes së sondazhit në “Dyrrah”, kandidatja e djathtë fiton me 3 për qind më tepër sesa i majti. Por, duhen edhe 30 ditë të tjera që durrsakët të zgjedhin me votë se kush duan që t’i drejtojë për 4 vitet e ardhshme.

A do t’i japin shansin përfundimtar Grida Dumës, për të shënuan kryebashkiaken e parë femër për Durrësin? Apo do të mbështesin Vangjush Dakon për mandatin e tretë, me qëllim realizimin e premtimeve në 4-vjeçarin e ardhshëm?

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”