DURRËS, 22 maj 2015 – Më 21 maj 2015, në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i qarkut të Durrësit Oerd Bylykbashi akuzoi institucionet në varësi të Ministrive të Punëve të Brendshme dhe të asaj të Energjisë dhe Industrisë në Durrës po fryhet administrata me qëllim që të ndikohet në rezultatin zgjedhor të 21 qershorit 2015. Bylykbashi tha se PD-ja do të kërkojë hetim për këtë skandal. Mes të tjerave, Bylykbashi tha:
“Po vijnë informacione për qindra punësime të paligjshme përpara zgjedhjeve, dhe kjo po vjen veçanërisht në Durrës që është një nga fushë-betejat më të forta elektorale në këto zgjedhje. Njerëzit duhet ta kenë parasysh që janë vetëm punësime provizore, nesër do t’i hedhin në rrugë, sepse e kryen punën. Madje kemi informacione se merren 80 persona në punë, por paguhen 40 rroga dhe rroga ndahet në dysh. Do t’i hetojmë dhe sapo të kemi prova do t’i bëjmë këtu publike. Kjo po ndodh për fat të keq në ndërmarrje shtetërore që janë në varësi të Ministrisë Brendshme apo Ministrisë së Energjetikës dhe madje në varësi të kësaj po ndodh që kjo kompani e madhe shtetërore siç është OSHE-ja, madje informacionet që po hetohen është që po i merr dhe po i punëson nëpunësit e saj në Durrës nga rrethet e tjera për të ndikuar me votën. Ne po hetojmë, kjo është përpara prokurorisë dhe ndërkombëtarëve”.
Pas deputetit të Durrësit Oerd Bylykbashi, ka reaguar Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito:
“Janë futur 10 mijë vetë në shërbimin civil, ata që janë gjendur në vendet e tyre të punës, me një monitorim të përditshëm nga BE, dhe nuk e them unë, e thotë komisionari Hahn, që është ai nga 5 prioritetet, administrata publike, reforma administratës që ka ecur më mirë nga të gjitha prioritetet e tjera. Kështu që hapni veshët nëse keni probleme me memorien ndërsa për atë që mund të themi për çfarë gjetëm është që çdo vit ky shtet paguan 20 milionë dollarë për moszbatim të vendimeve të gjykatave dhe pikërisht ne bëmë amendim në muajin dhjetor këtu. Kjo mazhorancë bëri amendim në mënyrë që këto vendime gjykatash të bëhen të zbatueshme dhe këto vendime për herë të parë kanë filluar të zbatohen dhe janë ato gjykata që janë shprehur në kohën kur ju ishit në pushtet dhe që ju nuk i zbatonit”.
/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/