19 maj 2015 – Edlira Çoba, nëna shqiptare që vrau tre fëmijët e saj të mitur vitin e shkuar, sot është shpallur e pafajshme nga drejtësia italiane.

Ky vendim për shqiptaren u mor me arsyetimin se kur ka kryer krimin, Çoba ka pasur probleme të mëdha mendore dhe vazhdon të jetë në një gjendje të tillë. Por, 38-vjeçarja do të qëndrojë 10 vjet në një institut psikiatrie për t’u trajtuar.

Ngjarja për të cilën bëhet fjalë ndodhi më 22 mars të vitit 2014 në provincën e Lecco-s në Itali, ku nëna 38-vjeçare vrau me një thikë të madhe kuzhine, 3 fëmijët: Simona, 13 vjeç, Kesi, 10 vjeç dhe Sindi, 3 vjeç.
Më pas në komisariat, ajo pranoi vrasjet duke thënë se e bëri për t’u shmangur vajzave të saj një të ardhme të mjerueshme.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/