11 maj 2015 – Një banor shqiptar i Lagjes së Trimave në Kumanovë dhe një polic shqiptar nga fshati Vaksincë, prej 48 orësh janë zhdukur. Familjarët janë të shqetësuar sepse nuk kanë asnjë informacion mbi fatin e tyre.

 

Besnik Ajdini, 45 vjeç, arrestimi i të cilit shihet edhe në fotot që po qarkullojnë në internet, policia e ndau nga anëtarët e familjes dhe i vuri prangat.

Mediet maqedonase informojnë se ka dhe dëshmi të familjarëve që tregojnë se  janë interesuar edhe te stacionet policore të Kumanovës, por nuk iu është dhënë asnjë informatë se ku ndodhet Besnik Ajdini.

Ndërkaq, Arsim Bajrami banor i fshatit Vaksincë, pjesëtar i policisë, sipas familjarëve është thirrur në detyrë, por që nga ajo ditë askush nuk e di se ku ndodhet.

Ditën e shtunë në Kumanovë shpërthyen përleshje të armatosura duke krijuar një gjendje lufte. Mbetën të vrarë 22 persona, dhe prej dy ditësh Maqedonia është në ditë zie.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/