10 maj 2015 – Në Kumanovë mbetën të vrarë 22 persona nga përleshjet e fundit, prej të cilëve 8 janë punonjës policie. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski në një dalje publike tha se 37 të tjerë janë plagosur. “I falënderoj të gjithë policët të cilët kanë marrë pjesë në këtë operacion më të komplikuar deri më tani. Gjatë ditës së djeshme kishte media që të tërhiqet urrejtje te shqiptarët, kurse grupi nuk gjeti mbështetjen e popullatës. Kjo s’është përleshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por i atyre që e ruajtën kushtetutën dhe shtetin dhe atyre që e sulmuan atë”, tha Gruevski.
Gruevski tha se do t’iu ndërtohen shtëpitë dhe ndihma financiare atyre që iu janë dëmtuar shtëpitë.
“Rreth 30 terroristë, pas luftës disaorëshe janë dorëzuar. Të njëjtët janë arrestuar dhe do të gjykohen në Maqedoni. 14 trupa të personave të grupit janë gjetur të vdekur dhe po mësohet identiteti i tyre. Një numër i konsiderueshëm prej tyre janë pjesë e sulmit në Gushincë”.
“Qëllimi tyre do të hetohet më tutje. Qëllimi i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë. ka pasur koordinim ndërmjet institucioneve të shtetit, ndërmjet policisë dhe ushtrisë. Koha e veprimit ishte bërë në momentin e duhur”, tha Gruevski.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”