DURRËS, 10 maj 2015 –  Lëvizjet opozitare dhe OJQ-të maqedonase janë të frymëzuara ndër të tjera nga Perëndimi, në favor të logjikës së rrugës dhe skenarit famëkeq të “revolucionit me ngjyra”, ky është etiketimi i Kremlinit daj incidenteve në qytetin e Kumanovës në Maqedoni. Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse thotë se “shkakton shqetësim shpërthimi i protestave antiqeveritare, që është vërejtur ditët e fundit në Maqedoni. Shmangia e përshkallëzimit të dhunës do të varet së shumti nga veprimet e organeve të ruajtjes së rendit dhe autoriteteve kompetente të vendit”.

Por Moska nuk ka harruar të akuzojë se “zgjedhja e një sërë të lëvizjeve opozitare dhe OJQ-ve, të frymëzuara ndër të tjera nga Perëndimi, në favor të logjikës së rrugës dhe skenarit famëkeq të “revolucionit me ngjyra” është i mbarsur me pasoja të rrezikshme. Ato mund të përkeqësohen deri në fërkime etnike në Maqedoninë shumëkombëshe dhe zonat kufitare të Ballkanit, që ndodhën në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000 nëpërmjet sprovave serioze konfliktuale”.

Diplomacia ruse deklaron se shpreson që situata të normalizohet sa më shpejt dhe të bëhet një hetim sa më i kujdesshëm i të gjitha rrethanave të ngjarjes.

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/