·40 vjeç mosha mesatare
·Vetëm tre “deputetë” nga 17 aktualë në “parlamentin” e superbashkisë
·Skartohen Bardhyl Agasi, Ledion Lako, Gëzim Agasi etj.
DURRËS, 7 maj 2015 – Për shkak të zgjerimit të territorit që do të mbulojë bashkia e Durrësit pas 21 qershorit, përbërja e këshillit bashkiak shtohet dhe shkon nga 45 aktualisht në 51 anëtarë.
Nga lista aktuale e PS-së prej 17 këshilltarësh në atë të re janë përfshirë vetëm tre: kryetari aktual i PS-së dhe kryetar i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj (nr. 1); kryetari aktual i këshillit bashkiak dhe biznesmen Alban Ramohitaj (nr. 3) dhe ish-deputete, ish-Prefekte qarku e biznesmene Natasha Paço (nr. 4). Janë skartuar figura të tilla si ish-deputet në disa legjislatura, ish-sekretar i selisë qendrore, ish-kryetari i parë i degës së PS-së dhe për disa vjet në këtë post Bardhyl Agasi; drejtori aktual i drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare Ledion Lako; ish-prefekt qarku, ish-sekretar i degës së PS-së, ish-drejtor banke niveli të dytë, aktualisht drejtor ekonomik në drejtorinë e përgjithshme ekzekutive “Autoriteti Portual Durrës”, financieri dhe ekonomisti i njohur Gëzim Agasi etj.
Në listën e paraqitur nga PS-ja, mosha mesatare e këshilltarëve për zgjedhjet e 21 qershorit është mbi 40 vjeç, ku në skajet moshore bien në sy Selman Lala, 63 vjeç, por që zor të zgjidhet se është i 43-ti në listë; dhe dy 23-vjeçarë: Ambela Tepshi, e 26-ta në listë dhe Aleksandër Cangonja, i 31-ti.
Një risi e listës është vendosja pranë njeri-tjetrit, në vend të 23 dhe 24, përkatësisht të Arben Bashkim Isakut (38 vjeç) dhe Lulieta Bashkim Isakut (33 vjeçe).
/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/