6 maj 2015
Frikë nga “çimkat” në sallë
Kryeministri Ed Rama sot rreth orës 5 së pasdites do të prezantojë zyrtarisht Vangjush Dakon si kandidat për kryetar bashkie në Durrës. Për kryebashkiakun Dako, në rast fitoreje, ky do të jetë mandati i tretë si qytetar i parë i Durrësit. Mbetet për t’u parë se si do të jetë mbulimi nga media i këtij aktiviteti d.m.th. me censurë me regji nga PS-ja dhe me kasetë të gatshme, apo mediat do të kenë liri të plotë mbulimi të aktivitetit.
Më pas rreth orës 18:30, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” do të mblidhet asambleja e socialistëve durrsakë. Mbledhja e asamblesë do të jetë me dyer të mbyllura. Pak ditë më parë u dekonspirua fjalimi i Kryeministrit Rama me ajkën e socialistëve shkodranë. Pikërisht për të mos u përsëritur kjo histori, edhe në Durrës janë marrë tërë masat teknike të nevojshme për të mos lejuar depërtimin e “çimkave” (përgjuesve) në sallën ku do zhvillojë punimet asambleja e PS-së lokale.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/