3 maj 2015 – Fushata për zgjedhjet lokale papritmas e papandehur aty ku nuk pritej në Durrës pati një përgjakje. Tepër herët, 50 ditë para zgjedhjeve një përplasje militantësh të filluar nga militantët “gjela” të PS-së degjeneroi në dhunë. Ishte një rast i artë i PD-së për t’i krijuar vështirësi PS-së jo vetëm në Durrës por në shkallë vendi, sidomos pas takimit të dështuar të Kryeministrit Rama në Kukës. Fatkeqësisht marëdhëniet me publikun ende lënë shumë për të dëshiruar në PD-në durrsake, por dhe në radhët e “ustallarëve” nga Tirana të transferuar në Durrës për të menaxhuar mediatikisht fushatën e kandidates Duma.

U njoftua konferencë për shtyp për incidentin e së premtes dhe në fakt ishte një njoftim për mediat (press release), gjë që la shije jo të mirë te korrespondentët lokalë. Ende në PD nuk gjen një pikë kontakti, ku të mësosh për aktivitetet e mundshme të kandidates, për programin dhee vizionin e saj për Durrësin etj. etj. Shumë gjëra duhet t’i mësosh nga Facebook-u i znj. Grida, në vend që të kesh një burim informacioni zyrtar. Në të tillla raste nga zori do i drejtohesh burimeve jo zyrtare, zërave autoritarë të PD-së durrsake, që momentalisht me urdhër nga lart publikisht e kanë kyçur gojën.

Kandidatja Duma ka shkëlqyer në mediat e Tiranës duke ia kaluar dukshëm kandidatit Dako aksesin në VIP-at e mediave kryeqytetase, por që në “provincën” e Durrësit të tilla VIP-a të kryeqytetit në jo pak raste ngjallin bezdi ndoshta të përzjerë me zili, duke prodhuar kështu efekt të kundërt te votuesit durrsakë. Nuk mund të besohet, që fansat e Ermal Mamaqit automatikisht do votojnë Gridën, se ajo do dalë tek emisioni i Mamaqit, ku do bëjë gallatë me shoumenin e shquar. Për më tepër që ‘”ustallarët” e sjellë nga kandidatja Duma nga Tirana sillen me njerëzit mediatikë të PD-së e deri diku edhe me korrespondentët durrsakë të mediave të Tiranës njëlloj si Alaister Campbell-i i Toni Blerit me “djemtë” me minifund të PS-së në Tiranë. Siç thotë latini ajo që i lejohet Cezarit  (Campbellit) nuk i lejohet  një latifondisti çfarëdo nga Laciumi. Për më tepër që këtej nga Durrësi moda Veliaj me minifund nuk para është fort e përhapur!

Zallamahinë mediatike në kampin blu e plotësoi këtë të shtunë një njoftim i beftë zyrtar i PD-së durrsake për konferencë shtypi në orën tetë të darkës. Njoftim që nja 15 minuta më pas u ndoq nga një kundërnjoftim për anullimin e konferencës. Mjafton ky fakt i kësaj fundjave të mbushur plot me inicidente elektorale dhe vizitë po elektorale të kryetarit de jure Basha në Durrës, për të kuptuar se të paktën mediatikisht në PD-në e Durrësit ende vazhdon avazin njëri gozhdës e tjetri patkoit.

Kësaj zallamahie mediatike i shtohet edhe një mungesë përgatitjesh konkrete nga ana logjistike për fushatën, që sapo ka filluar. Brenda 10 ditësh fushata e kandidates Duma ka ndërruar tre shefa logjistike! Të mos gjesh ende shefin e logjistikës për një fushatë elektorale, ku Bashkia e re e Durrësit fillon te Bërryli i Currilave dhe mbaron matanë fshatit Shkafane të Ishmit, është me të vërtet t’i hysh detit më këmbë. Fushata shndërrohet në një mision thuajse të pamundur, kur ke përballë një Vangjush Dako me xhepat e thella e plot me para, dhe një PS në pushtet në qendër e në bazë me të gjitha privilegjet e marifetet, që të ofron pushteti.

/Gj. Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/