3 maj 2015 – Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot drejt Shkodrës për të përuruar fillimin e punimeve të stadiumit “Loro Boriçi”.

Përmes një videoprojektori të vendosur në mes të fushës u prezantua si do të jetë fytyra e re e stadiumit në muajin tetor.

Në krah të kryeministrit ishte dhe kandidatja e PS-së për bashkinë Shkodër, Keti Bazhdari, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka.

Në këtë stadium, i cili do të ketë një kapacitet prej 17 mijë tifozësh, më 8 tetor do të luhet ndeshja Shqipëri-Serbi. Pikërisht për këtë arsye pritet që punimet të përfundojnë herët.

Edhe kryeministri Rama në fjalën e mbajtur tha se objektivi është që rikonstruksioni të mbarojë në kohë, për të mirëpritur komshinjtë, duke iu referuar serbëve.

“Shkodra e meritonte këtë stadium në nderim të emrit që mban stadiumi. Futbolli e ka origjinën në Shkodër. Objektivi është ta realizojmë në kohë që të mirëpresim komshinjtë. Besoj se do ia dalim”, tha Rama.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/