DURRËS, 1 maj 2015 – Dhe në momentet e fundit, para zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015, bashkia bregdetare po hedh para për investime dhe blerje karburantesh e lubrifikantesh.
Kështu më 4 maj 2015 organizohet tenderi për ndriçimin e jashtëm të godinave të bashkisë, prefekturës dhe pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu, investim që duhet realizuar për 45 ditë. Me këtë rast është vënë në dispozicion një fond limit prej 5 000 000 lekë nga të ardhurat.
Kurse më 18 maj 2015 zhvillohet prokurimi publik për rikonstruksionin e 4 rrugëve (“I. Buzhiqi”, “Arbërve”, “Çajupi”, “T. Çela”), që duhet realizuar për 150 ditë. Për këtë investim që bëhet nga të ardhurat e bashkisë është miratuar një fond limit 15 047 000 lekë.
Më përpara, më 21 prill 2015, Ndërmarrja Rruga Durrës, ka njoftuar fituesin e një tenderi prej 25 milionë lekësh (pa TVSH) për blerje asfalt dhe inerte.
Edhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës ka realizuar tenderët me vlerë totale prej 51 957 093 lekë (pa TVSH) për blerje karburantesh (360 510 litra naftë ‹ 10ppm – 50 546 505 lekë dhe 10 590 litra benzinë pa plumb – 1 410 588 lekë) për institucionet në varësi të bashkisë; 915 450 lekë për blerje vajrash lubrifikante (shih poshtë tabelat).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/