29 prill 2015 – Humbja minimale në "Niko Dovana" nga Partizani dhe fitorja në fushën e tyre e fierakëve ka bërë që diferenca e pikëve mes këtyre dy skuadrave të zvogëlohen djeshëm në katër pikë, duke rihapur edhe një herë betejen mes tyre për mbijetesë. Megjithatë, për durrsakët kapitulli mbijetesë quhet i mbyllur, duke marë parasysh faktin që "djemtë e detit" do të përballen në "Niko Dovana" me Apoloninë, ku janë të bindur se do të marrin fitoren. Kapiteni Bledian Rizvani e konsideroi të pamerituar humbjen e fundit me Partizanin dhe shprehet se skuadra do të vlerësojë maksimalisht katër sfidat e mbetura, të cilat i konsideron finale.
"Humbja me Partizanin ishte krejtësisht e pamerituar për atë që skuadrat dhanë në fushën e lojës. Për mua barazimi do t'i shkonte për shtat asaj përballje, e cila u luftua nga të dyja skuadrat. Ashtu si kundërshtari, edhe ne patëm rastet tona për të shënuar , por nuk u treguam të vëmëndshëm në finalizimin e aksioneve. Ndërsa rasti i golit të Partizanit, ishte thjesht një moment shpërqëndrimi”. Katër pikë larg nga kundërshtari janë më se të mjaftueshmë për të siguruar mbijetesën.
I këtij mendimi është portieri Rizvani, i cili shprehet se skuadra duhet të jetë e qetë dhe t'i vlerësoj maksimalisht ndeshjet e mbetura, duke i konsideruar si finale. "Jemi katër pikë përpara dhe nuk duhet të rrimë në gjemba. Kush na e siguron se Apolonia do të ketë ecuri më të mirë se Teuta në katër ndeshjet e mbetura?! Për më tepër që ne kemi ndeshje direkte me Apoloninë dhe jemi të bindur se do ta fitojmë atë përballje. Unë i bëj thirrje skuadrës të motivohet maksimalisht në këto katër ndeshjet e mbetura, t'i vlerësojë si katër finale. Ne do të udhëtojmë drejt Korçës me qëlim për të marë rezultat pozitiv dhe në ndeshjen me Apoloninë t’i vëmë vulën mbijetesës dhe të mendojmë për sezonin e ardhshëm", përfundoi portieri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/