27 prill 2015 – Një grabitje ashtu siç shohim në filmat aksion, ka ndodhur paraditen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës, ku tre persona të armatosur kanë grabitur një makinë “Security” që transportonte para, në afërsi të qendrës tregtare "QTU".
Menjëherë pasi kanë marrë paratë, grabitësit kanë braktisur makinën e tyre në afërsi të Vorës dhe e kanë djegur atë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në rrugën dytësore të autostradës, ndërsa shuma e parave të vjedhura nuk dihet ende. Sipas burimeve policore bëhet me dije se, objekt sulmi është bërë makina e rojës së sigurisë të “QTU”-së, e cila transportonte një sasi parash të qendrës tregtare.
Megjithëse të dyja palët, si grabitësit edhe 2 policët privatë që u bënë pre e vjedhjes, kanë qenë të pajisur me armë, nuk ka pasur të shtëna.
Policia po heton gjithë dinamikën e ngjarjes dhe është duke biseduar me kompaninë për të llogaritur paratë e grabitura.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





