26 prill 2015 – Një gol i Idriz Bathës, ndaj ish Teutës së tij, i dha fitoren Partizanit në “Niko Dovana” me të kuqtë, që përfitojnë në maksimum nga kjo transfertë, në javën e përballjeve të mëdha në krye duke u barazuar provizorisht në pikë me Tiranën dhe Kukësin. Në një 90 minutësh që ishte si një finale për të dyja skuadrat, si Teuta dhe Partizani dhanë maksimumin në fushë duke prodhuar dhe një ndeshje të luftuar mes tyre. Durrsakët që kërkonin pikët për mbijetesën, u përpoqën të vinin në vështirësi të kuqtë, por mbrojtja e skuadrës së Duros në disa raste arriti të mbyllë mirë hapësirat. Partizani u përpoq të arrinte te goli dhe me goditjet nga distance, si ajo e minutës së 29-të, kur Vila provoi por gjeti në rrugën e tij Rizvanin. Shtatë minuta më pas, Teuta u kundërpërgjigj me Ditën ndërsa në të 349-tën, ishte Alban Hoxha që ndali nga afër Peposhin. Pjesa e parë u mbyll me një aksion të rrezikshëm të Partizanit, me Rizvanin që bëri një ndërhyrje vendimtare ndaj Mazrekajt. Nga dhomat e zhveshjes për pjesën e dytë, Partizani doli më I karikuar dhe menjëherë u hodh përpara. Në të 49-tën, goditja e Vilës u përplas te Racic, ndërsa pesë minuta më pas askush nuk arriti të ndalte Bathën, që shënoi ndaj ish skuadrë së tij duke I dhënë epërsinë Partizanit. Epërsia i dha Partizanit qetësinë e nevojshme për të kontrolluar rezultatin me Teutën që u përpoq të kthente shifrat por pa arritur të rrezikojë dot ndaj një të kuqve, që e mbërthyen fortë këtë 3 pikësh duke u ngjitur vetë në renditje por duke penalizuar Teutën, që tashmë nuk favorizohet as nga kalendari në garën me Apoloninë.

 

 

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"