DURRËS, 26 prill 2015 – Sikurse ka njoftuar më parë “Dyrrah”-u, më 20-24 prill 2015, në sallën e trajnimeve dhe ambientet e Portit Detar të Durrësit u zhvillua seminari “Lufta kundër Armëve të Shkatërrimit në Masë (ASHM) në portet detare”, ku morën pjesë drejtues dhe specialistë nga Ministritë e Transporteve e Infrastrukturës; Financave, Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes. Pothuajse një javë pjesëmarrësit u njohën nga ekspertët e SHBA me objektivat e Luftës kundër ASHM dhe akteve terroriste, kërcënimet dhe rreziqet, me kërkesat ndërkombëtare të Kontrollit Shtetëror të porteve, identifikimin e çështjeve dhe shqetësimeve gjatë këtij kontrolli, procedurat që përdoren në raste të tilla, identifikimi dhe vlerësimi i kërcënimeve, dobësive ose pasojave, njohjen e karakteristikave të ASHM dhe rrezikshmërinë e tyre, masat e sigurisë në porte, kontrolli shtetëror i portit dhe anijeve, etj.
Në ceremoninë mbyllëse drejtuesi i seminarit Xhon Holms (John Holmes) vlerësoi përkushtimin dhe përpjekjet e specialistëve shqiptarë në përvetësimin e programit të këtij kursi, punën në grup dhe seriozitetin në trajtimin e çështjeve, ushtrimet praktike gjatë kontrollit të anijeve dhe kontejnerëve, pyetje, përgjigjet dhe diskutimet e hapura. Gjithashtu instruktorët amerikanë vlerësuan mikpritjen dhe ndjenjat miqësore të kolegëve shqiptarë, por dhe qytetarëve durrsakë. Madje ata shprehën dëshirën për të ardhur në Shqipëri në të ardhmen jo si instruktorë, por si vizitorë në vendin tonë, bashkë me familjet e tyre. Në vijim drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës Gazmend Shalësi iu dhurua emblema e DTRA-së (Agjencia amerikane për Mbrojtjen dhe Reduktimin e Kërcënimeve). Më pas pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikatat për pjesëmarrjen në këtë kurs.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi Shefqet Kërcelli/





